Një muaj bllokim i Kozhufit, nga Qeveria njoftojnë për dialog dhe mbrojtje të mjedisit jetësor
Plot një muaj po zgjasin bllokadat në malin Kozhuf. Eko-aktivistët e kanë bllokuar rrugën për në qendrën e skijimit dhe nuk lejojnë të fillojnë punimet ndërtimore në vendin ku është planifikuar një hidrocentral i vogël në lumin Doshnicë, një nga lumenjtë më të pastër në vend. Aktivistë nga qytete dhe vendbanime nga i gjithë vendi tashmë 30 ditë po qëndrojnë në krye të bllokadave dhe thonë se do të qëndrojnë në terren deri në fund, derisa Qeveria ta revokojë lejen për ndërtim në këtë mal, transmeton Portalb.mk.
Pas shkrimeve në Meta.mk lidhur me bllokadat e eko-aktivistëve, në lidhje me këtë problem ne u drejtuam në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe në Qeveri, nga ku na thanë se janë të gatshëm të fillojnë bisedime dhe të gjejnë një zgjidhje. Në përgjigjen e dhënë nga Qeveria nuk definojnë saktësisht se çfarë konkretisht do të ndërmarrin, kur do të fillojë dialogu dhe si do ta mbrojnë mjedisin jetësor.
Mitko Jançev, kryetari i Komunës së Kavadarit, komunë kjo që dha mendim pozitiv për ndërtimin e hidrocentralit në Doshnicë, nuk u përgjigj në thirrjet telefonike dhe mesazhet lidhur me këtë çështje.
“Qeveria i ndjek me vëmendje reagimet e publikut dhe është e gatshme të inkurajojë një dialog të hapur dhe konstruktiv me të gjitha palët e interesuara. Qeveria mbetet e përkushtuar për të gjetur zgjidhje që do të jenë në interesin më të mirë të qytetarëve dhe mjedisit jetësor”, thanë nga Qeveria në një përgjigje me shkrim.
Ata pastaj shtuan se koncesionin nuk e dha kjo qeveri, por se këto janë detyrime nga e kaluara, ndërsa ata janë të detyruar ta respektojnë atë që ishte dakorduar.
“Projektet për këto hidrocentrale të vogla janë detyrime të trashëguara nga e kaluara dhe rrjedhin nga një procedurë tenderimi e zhvilluar nga Ministria e atëhershme kompetente e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, gjatë së cilës u dha një koncesion dhe u mblodhën fonde që u derdhën në buxhetin e shtetit”, thanë nga Qeveria.
Në vazhdim ata shpjegojnë se zgjatja e afatit të ndërtimit deri në prill të vitit 2026 u bë sepse ishte një hap administrativ që buronte nga detyrimet dhe të drejtat ekzistuese pronësore të kompanive të përfshira në proces, dhe se kjo zgjatje nuk ishte një leje e re ndërtimi që ata po e lëshonin.
Nga MMJPH thonë se mbi bazë të një vendimi qeveritar për dhënien e koncesionit për përdorimin e ujit për prodhimin e energjisë elektrike nga 22 hidrocentrale të vogla, është zbatuar një procedurë për dhënien e koncesionit për përdorimin e ujit për prodhimin e energjisë elektrike në “Barov Doll” dhe “Paprad” në pellgun e lumit Doshnicë.
“Janë siguruar mendime pozitive nga institucionet përkatëse dhe nga Komuna e Kavadarit, ku ndodhen objektet e hidrocentraleve të vogla të ardhshme. Pas marrjes së vendimit për përzgjedhjen e ofertës më të favorshme për dhënien e koncesionit, në maj të vitit 2019 ofertuesi filloi procedurat për marrjen e lejeve për përdorimin e ujit për prodhimin e energjisë elektrike. Në procedurat për dhënien e lejeve për përdorimin e ujit, Komuna e Kavadarit ka dhënë mendime pozitive, ndërsa nga publiku nuk janë bërë vërejtje. Pas zbatimit të procedurës, MMJPH në vitin 2021 lëshoi një leje për përdorimin e ujit për prodhimin e energjisë elektrike për hidrocentralin e vogël Barov Doll dhe një leje për përdorimin e ujit për hidrocentralin e vogël Paprad, pas çka në vitin 2022 u lidh kontrata për koncesion”, thanë nga Ministria.
Megjithatë, ligji lejon edhe ndërprerjen e kontratës për koncesion. Nga MMJPH thonë se Ligji për Koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat, si dhe kontrata për koncesion, i parashikojnë rastet për ndërprerjen e kontratës për koncesion: skadimi i afatit, forca madhore, me pëlqim të ndërsjellë midis palëve; si dhe shkelja e dispozitave të kontratës nga njëra prej palëve kontraktuese.
Ndërkohë, aktivistët nuk lejojnë zhvillimin e punimeve ndërtimore në Doshnicë. Dy javë më parë Меtа.mk i vizitoi bllokadat. Atëkohë Kristijan Allçinov, një bletar profesionist, apiterapeut dhe aktivist shumëvjeçar për Kozhufin, deklaroi se për ndërtimin e një hidrocentrali, lumi Doshnica do të duhej të gërmohej përgjatë 4 kilometrave dhe 8 metra në gjerësi.
“Kjo do të thotë se do të shkatërrohet e gjithë flora, fauna dhe speciet endemike. Doshnica është lumi më i pastër në Maqedoni, nga i cili mund të pini ujë dhe është thesari ynë dhe për këtë arsye nuk duhet lejuar që të preket diversiteti i tij. Krahas peshqve, troftës, gaforreve të ndryshme, myshqeve endemike, një nga speciet më të rëndësishme është bleta e mjaltit Apis mellifera macedonica, habitati i së cilës është Shkëmbinjtë e Kuq, që në fakt është një zonë e gjatë përgjatë lumit Doshnicë. Ato do të shfarosen nga ky habitat i tyre, e kjo pasuri është e paçmuar dhe nuk mund të matet me asnjë interes dhe përfitim shtetëror, shoqëror apo ndonjë lloj tjetër”, thotë Allçinov. Ai, bashkë me aktivistët e tjerë, thotë se nuk do të tërhiqet dhe se nuk do të lejojë të realizohen projekte të tilla dashakeqe.
Kujtojmë se, eko-aktivistët kanë nisur protestën e tyre nga 29 qershori.