KSHZ refuzoi ankesat për Çashkën, komuna për herë të parë do të drejtohet nga një shqiptar

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në seancën e sotme ka mbyllur zyrtarisht çështjen e ankesave që lidhen me votimet në komunën e Çashkës, duke i hapur rrugë konfirmimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve lokale, shkruan Portalb.mk. 

Pas shqyrtimit të materialeve dhe dëgjimit të përfaqësuesve partiakë, KSHZ refuzoi njëzëri të gjitha ankesat e parashtruara nga koalicioni VMRO-DPMNE, duke i cilësuar ato si të pabazuara. Nga ana tjetër, koalicioni i LSDM-së i tërhoqi ankesat e veta në momentin kur nisi seanca, pa kërkuar shqyrtim të mëtejshëm. 

Me këtë vendim, procesi zgjedhor në Çashkë konsiderohet i përfunduar dhe rezultati i raundit të parë mbetet në fuqi. Kështu, për herë të parë në historinë e komunës, drejtimin e saj do ta marrë një shqiptar, Suat Shaqiri, kandidati i Aleancës për Integrim Kombëtar (AKI). 

Shaqiri pritet të marrë zyrtarisht detyrën në ditët në vijim, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KSHZ. Ai ka theksuar se fitorja në Çashkë është rezultat i besimit qytetar, pa dallim etnie, dhe një dëshmi se bashkëjetesa dhe bashkëpunimi janë të mundshme në çdo komunë të vendit. 

“Falënderoj të gjithë mbështetësit, në veçanti popullin shqiptarë, duke mos anashkaluar edhe ata që na votuan si popull, pra qytetarët maqedonas, mërgatën në veçanti, të cilët treguan maturi evropiane, erdhën dhe iu përgjigjën ftesës për të votuar. Unë do të jem zëri i komunës së Çashkës, jam fitues absolut, në formën më të mirë demokratike dhe do të jem i barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallime fetare dhe kombëtare”, tha mes tjerash Shaqiri.

Ndryshe, derisa në KSHZ po shqyrtoheshin ankesat në lidhje me zgjedhjet në Çashkë dhjetëra qytetarë nga po e njëjta komunë shprehën revoltën përmes një proteste para objektit të KSHZ-së. 

Në rend dite të mbledhjes së KSHZ-së ishte shqyrtimi i pesë ankesave të parashtruara nga VMRO-DPMNE dhe LSDM, që kishin të bëjnë me parregullsi të supozuara në procesin e votimit në disa vendbanime të Çashkës.  Dy ankesa ishin për qendrën e votimit në Jabollçishtë të Epërmenjë në Jabollçishtë të Poshtme dhe një tjetër në fshatin Mellnicë.