BE-ja pritet të miratojë vendim për të financuar Ukrainën për dy vitet e ardhshme

BE-ja pritet të miratojë në parim financimin për Ukrainën, pavarësisht kërcënimit belg për të bllokuar përdorimin e aseteve të ngrira ruse, shkruan Reuters, transmeton Portalb.mk. 

“Bashkimi Evropian pritet që të enjten të marrë vendimin në parim për të siguruar financimin e nevojshëm për Ukrainën për dy vitet e ardhshme”, tha kryetari i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, edhe pse Belgjika ka kërcënuar se do ta bllokojë planin për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të ndihmuar Kievin.

Në samitin e liderëve të BE-së në Bruksel, kryeministri belg Bart De Wever paraqiti tre kërkesa kryesore lidhur me planin që parashikon përdorimin e aseteve të bllokuara ruse për të siguruar një huadhënie prej 140 miliardë eurosh (rreth 163 miliardë dollarë) për Ukrainën.

“Nëse kërkesat tona plotësohen, mund të ecim përpara. Nëse jo, do të bëj gjithçka që kam në dorë, në nivel evropian, kombëtar, politik dhe ligjor, për ta ndaluar këtë vendim,” paralajmëroi De Wever, duke kujtuar se Belgjika është vendi që mban asetet e ngrira ruse, përmes depozitarit të letrave me vlerë Euroclear.

De Wever kërkoi që të gjitha vendet anëtare të BE-së të ndajnë rrezikun që lidhet me planin, që do të thotë të marrin përsipër shpenzimet e mundshme ligjore në rast padish nga Rusia, si dhe të kontribuojnë financiarisht nëse paratë do të duhej të ktheheshin ndonjëherë.

Ai gjithashtu kërkoi që asetet ruse të ngrira në shtetet e tjera të përfshihen në të njëjtin mekanizëm.

“Duhet të ketë transparencë mbi rrezikun dhe mbi bazën ligjore të këtij vendimi,” theksoi ai.

Ndërkohë, Antonio Costa, i cili mbërriti në samit së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, deklaroi se BE-ja është e vendosur të sigurojë nevojat financiare të Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027, përfshirë blerjen e pajisjeve ushtarake, ndërsa detajet teknike do të përcaktohen më vonë.

“Do të marrim vendimin politik për të garantuar financimin e nevojshëm të Ukrainës për dy vitet e ardhshme,” tha Costa, që kryeson samitet e liderëve të BE-së.

Liderët pritet t’i kërkojnë Komisionit Evropian që të përgatisë një propozim të plotë ligjor për planin e përdorimit të aseteve të ngrira ruse.

Në të njëjtin samit, liderët e BE-së pritet të riafirmojnë mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës.
Zelensky mori gjithashtu një shtysë të re diplomatike, pasi BE-ja miratoi zyrtarisht një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë.

Paketa përfshin:

  • ndalim të importeve të gazit të lëngshëm rus (LNG) që nga janari 2027,
  • masa kundër flotës “hije” të transportit të naftës,
  • si dhe sanksione ndaj dy rafinerive të pavarura kineze që ndihmojnë eksportet ruse të naftës.

Zelensky mbërriti në Bruksel pas disa ditësh zhvillimesh të vrullshme në skenën ndërkombëtare: Donald Trump njoftoi dhe më pas u tërhoq nga një takim i planifikuar me Vladimir Putinin në Budapest, ndërsa SHBA vendosi sanksione të reja ndaj kompanive kryesore të naftës ruse.

Në hyrje të samitit, Zelensky përshëndeti vendimin e BE-së dhe SHBA-së për sanksione të reja ndaj Moskës.

Edhe pse ende nuk është paraqitur zyrtarisht propozimi për përdorimin e aseteve të ngrira ruse, vendet e BE-së po debatojnë për kushtet që duhet të shoqërojnë këtë “huadhënie për reparacione”.

Disa shtete kërkojnë që të gjitha fondet të përdoren për qëllime ushtarake, veçanërisht për blerjen e armëve evropiane, ndërsa të tjera propozojnë që një pjesë e shumës të përdoret për mbështetje buxhetore, përfshirë blerjen e armëve jashtë Evropës.

“Ka vullnet politik për të ecur përpara, por ende mbeten shumë pyetje pa përgjigje,” tha një diplomat i BE-së në kushte anonimiteti.

Kievi kërkon liri të plotë për përdorimin e fondeve

Një zyrtar i lartë në administratën e Zelenskyt i tha agjencisë Reuters se Ukraina ka nevojë për fondet deri në fund të vitit dhe kërkon autonomi të plotë në mënyrën e përdorimit të tyre.

Sipas një kompromisi të propozuar nga Komisioni Evropian, pjesa më e madhe e kredisë do të përdorej për blerjen e armëve ukrainase dhe evropiane, ndërsa një pjesë më e vogël do të mund të shkonte për mbështetje buxhetore të përgjithshme, që Ukraina ta përdorë edhe për blerje jashtë Evropës.

Ndërkohë, Rusia e ka cilësuar këtë nismë si “sekuestrim të paligjshëm të pronës” dhe ka paralajmëruar kundërmasa në rast se plani zbatohet.