Gazetari Loucaides pas një viti investigimi të Telegram-it: Si mjet është i mirë, por mbizotëron propaganda

Darren Loucaides punon si gazetar investigativ që nga viti 2008 në Londër dhe në Barcelonë. Interesi i tij kryesor janë grupet konspirative, grupet të cilat shpërndajnë dezinformata në platformat sociale dhe hulumtimet për mënyrën se si funksionojnë ato, me një theks të veçantë te Telegram-i, shkruan Meta.mk transmeton Portalb.mk.

Tekstet e tij janë publikuar në media prestigjioze, si WIRED, Gardian (The Guardian) Open Democracy (Open Democracy), duke e zbuluar lidhshmërinë mes politikës dhe teknologjisë, dezinformatave dhe populizmit digjital.

Meta.mk bisedoi me Loucaides në Londër në kuadër të projektit “Ridefinimi i menaxhimit”, të financuar nga UK International Development nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Shkup, ndërsa të implementuar nga Qendra për menaxhimin me ndryshimet (QMN). Ai shpjegon se si ka filluar të merret me dezinformatat dhe me zbulimin e tyre, ndërsa një interes i veçantë për platformën sociale Telegram i është shfaqur gjatë pandemisë së Covid-19, kur numri i përdoruesve në këtë platformë filloi të rritet, e që tashmë ka arritur shifrën prej 900 milionë.

“Me fillimin e pandemisë, kishte disa shenja të hershme të lidhshmërisë mes të djathtëve radikalë, grupeve konspirative dhe dezinformatave, përfshirë edhe ato që ishin të sponsorizuar nga shteti. Me dy gazetarë të tjerë ne filluam një investigim ndërkombëtar për atë se si përhapen narrativet e ndryshme dhe se nga vijnë ato. Rasti më interesant ishte Gjermania, ku lëvizja anti-Covid në Telegram u rrit masivisht pasi bllokimit të disa influenserëve në platformat kryesore”, tha Loucaides.

Ekipit i bashkohet edhe një hulumtues i të dhënave, i cili i gjurmon COVID-skeptikët, antivakserët dhe grupet QAnon të Telegram dhe e regjistron aktivitetin e tyre të jashtëzakonshëm në Telegram, veçanërisht atë rreth lëvizjes të të djathtëve Querdenker, e cila u radikalizua me shpejtësi marramendëse kundër masave pandemike. Hulumtimi i çon ata edhe deri tek Jurgen Elsasser, redaktor i një reviste djathtiste, e cila, sipas tij, është një shembull klasik se si lëvizjet e ekstremit të djathtë i shfrytëzojnë komplotet, duke u mundësuar atyre shumë hapësirë ​​në media.

Darren Loucaides (gazetar). Foto: Meta.mk
Darren Loucaides (gazetar). Foto: Meta.mk

Përveç kësaj, Loucaides dhe kolegët e tij kanë arritur edhe deri tel Epoch Times, një medium që ka qenë më i përhapuri në Telegram në kontekstin e lëvizjes anti-Covid dhe antivaksere në Gjermani, Evropë dhe madje edhe në SHBA. Rrënjët e tij i kanë gjetur në një grup kvazi fetar disident kinez, të njohur ndërkombëtarisht dhe i cili konsiderohet pro-Trump, i ekstremit të djathtë dhe konspirativ në lidhje me pandeminë e Covid-it, pas çka publikohet storia investigativeOpen Democracy – “Gjigandi mediatik për të cilin nuk keni dëgjuar kurrë dhe pse duhet të bëni kujdes“.

“Gjigandi mediatik për të cilin nuk keni dëgjuar kurrë dhe pse duhet të bëni kujdes “ / Foto: Printscreen, open Democracy
“Gjigandi mediatik për të cilin nuk keni dëgjuar kurrë dhe pse duhet të bëni kujdes “ / Foto: Printscreen, open Democracy

Duke e investiguar Telegramin ata vijnë edhe deri tek lidhjet me Rusinë, ndërsa të dhënat kanë nxjerrë në pah se, për shembull, Russia Today, ka qenë media që është shpërndarë më së shumti në atë këtë platformë sociale në periudhën e pandemisë se Covid-19.

Kështu, dezinformatat në Telegram bëhen tema kryesore e interesit për gazetarin investigativ, për të cilin ai thotë se ka një sërë avantazhesh, por edhe se i mungon rregullimi, ndërsa pronësia e Telegram-it, e cila është nën ombrellën e Pavell Durov është jashtëzakonisht jotransparente duke pasur parasysh se ata u shmangen pyetjeve të gazetarëve në publik.

“Nuk ka transparencë, nuk u përgjigjen pyetjeve legjitime të grupeve të shoqërisë civile, si dhe atyre që i kam unë si gazetar. Unë mendoj se kjo është e lidhur me biznesin, pasi ata kanë shumë përdorues rusë dhe ndoshta nuk duan të mbyllen sërish në Rusi, thotë Loucaides.

Për storien për Telegramin (Si u bë Telegrami anti Facebook) ai ka punuar një vit të tërë, për të shkruar 11.000 fjalë, pra 16 faqe. Ka mbledhur dëshmi nga ish-punonjës, u është bashkëngjitur grupeve të ndryshme, i ka hetuar dezinformatat, sidomos ato nga pala ruse. Qëndrimi i tij është se Telegrami është një mjet i mirë, por se në të megjithatë mbizotëron propaganda ruse.

Mua, siç mund ta shihni nga tekstet e mia, më shqetëson mungesa e rregullimit. Mendoj se gazetarët rusë e theksojnë nivelin e dezinformatave, i cili e tejkalon informacionin “e vërtetë”. Ndërsa ai (Telegrami) është një mjet i mirë në Ukrainë, njerëzit varen prej tij, ata që janë pro luftës, pro Putinit janë më të pranishëm dhe me më shumë ndikim, thotë Loucaides.

Sipas njohurive të tij një pjesë e bisedave në Telegram ndiqen, ndërsa në artikullin e tij të fundit, “Кremlini na hyri në bisedë“, ai ekspozon se si regjimi i Putinit e di çdo lëvizje të aktivistëve rusë që janë kundër luftës.

“Кremlini na hyri në bisedë“ / Foto: Printscreen, WIRED
“Кremlini na hyri në bisedë“ / Foto: Printscreen, WIRED

Loucaides vazhdon me hulumtimet e tij për dezinformatat në platformat sociale edhe lidhur me luftën mes Izraelit dhe Hamasit.

Ai thekson se njerëzit duhet të kenë kanale ku do mund ta shprehin lirshëm mendimin e tyre, por në të njëjtën duhet të jenë të vetëdijshëm se edhe ato kanale mund të përmbajnë një numër të madh të dezinformatave për çështje shoqërore jashtëzakonisht të rëndësishme që plotësisht mund t’i ndryshojnë ngjarjet dhe perceptimet, në kuptimin negativ.