IShP: Një 45-vjeçar që kishte sëmundje shoqëruese vdiq nga gripi, nuk ishte vaksinuar

Gjatë javës së tretë të vitit 2024 është regjistruar një vdekje nga gripi. Bëhet fjalë për një person 45-vjeçar nga Negotina i cili ishte shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, sipas raportit të fundit për gjendjen me grip dhe sëmundje të ngjashme me gripin, të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik (IShP), transmeton Portalb.mk

“Tek personi i vdekur është konstatuar prania e sëmundjeve shoqëruese (kardiovaskulare, pulmonare, diabeti, obeziteti). Ai nuk ishte vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal”, thuhet në raport.

Gjithsej shtatë vdekje nga gripi dhe sëmundje të ngjashme me gripin janë regjistruar deri më tani. Personat e vdekur janë nga grupmosha 30 deri në 64 vjeç dhe grupmosha e personave mbi 65 vjeç. Prezenca e influencës A(H1)pdm09 është vërtetuar në pesë nga personat e vdekur dhe një person ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Gjatë javës së tretë të vitit 2024, në mbarë vendin u raportuan 1,675 raste të raportimeve grupore të sëmundjeve të ngjashme me gripin, 41,7 përqind më shumë se javën e kaluar.

“Numri i të regjistruarve këtë javë krahasuar me javën e tretë të sezonit të kaluar është rritur për 47.6 përqind”, njofton IShP.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, numri i rasteve të raportuara është rritur për 22,3 përqind, dhe krahasuar me modelin e 13 sezoneve të fundit, ka një rritje prej 34,6 përqind. Janari është muaji me numrin më të madh të rasteve. Në dhjetor janë regjistruar 829 raste, ndërsa në janar kjo shifër ishte 3.882.

Në komentin epidemiologjik thuhet se ka një rritje të numrit të sëmundjeve të ngjashme me gripin, që është mbi kufirin javor për aktivitetin sezonal.

“Rezultatet e marra nga mbikëqyrja virologjike e gripit tregojnë se ka një aktivitet të gjerë të virusit të influencës. Përqindja e pozitivitetit është mbi kufirin prej 10 përqind. Sipas këtyre të dhënave, Maqedonia ka një shpërndarje të gjerë gjeografike dhe intensitet të lartë të aktivitetit të virusit të gripit”, thuhet në raportin e IShP-së.

Instituti i Shëndetit Publik rekomandon vaksinimin e të gjithë popullatës, veçanërisht të personave që i përkasin të ashtuquajturve grupet e rrezikut.