Shkenca qytetare sociale

Sot në përdorim janë edhe terma e shprehje si “citizen humanities”/shkencat humane qytetare (Adamson, 2016), “cultural heritage and digital humanities”/trashëgimia kultuore dhe shkencat humane digjitale. (Dobreva and Azzopardi, 2014) Shkenca shoqërore sociale, nënkupton partneritetin mes hulumtuesve profesionalë dhe vullnetarëve ku këta të fundit marrin detyra që tradicionalisht janë kryer nga shkencëtarët (Heiss & Matthes 2017: 22). Ndonëse kjo kategori po aktualizohet sot, e njëjta ka një të kaluar më tepër se tetëdekadëshe: Projekti i Vëzhgimit Masovik (Mass Observation Project), me karakter kombëtar lidhur me jetën e përditshme në Britani në fillim i themeluar nga një grup njerëzish, si një organizatë kërkimore sociale më 1937, ka synuar krijimin e një ‘antropologjie të vetvetes’ (anthropology of ourselves).

Shkenca sociale qytetare është qasje pjesëmarrëse e kodizajnuar dhe e udhëhequr nga grupet qytetare që bashkëndajnë një brengë sociale dhe përfshin grupe në gjendje vulnerabile që veprojnë si bashkëhulumtues. Kjo vegël është ringjallur në vitin 1981 në format të panelit të regjistrimit nacional dhe vazhdon deri në ditë të sodit.

Projektet “Youth Citizen Social Science” anekënd Europës sigurojnë dije për shtytës pozitivë për përfshirje sociale dhe dije specifike dhe inovacion rreth pjesëmarrjes, përkatësië dhe qytetarisë.  Universiteti i Halle-Wittenbergut realizon projektin SoCiS: Shkencat sociale qytetare për adresimin e sfidave të mëdha. Grupi “OpenSystem” nga Barcelona ka zhvilluar një sërë eksperimentesh publike në kontekste urbane: më tepër se 5400 fqinj kanë marrë pjesë në nisma të shumta mes viteve 2012-2019.

Një shembull i kësaj kategorie është bashkëpunimi për të përmirësuar jetën e njerëzve me probleme shëndetësore mendore dhe familjeve dhe miqve të tyre. (Albert, 2021) Porjekti CoAct bazohet në idenë e shkencës sociale qyyetare të kuptuar si kërkim i bashkëstrukturuar i promovuar nga grupet me brenga të përbashkëta shoqërore dhe adreson katër sfida madhore sociale: shëndeti mental, papunësia rinore, barazia mjedisore dhe barazia gjinore.

Eksperimentet e rrugës iu lejojnë kalimtarëve që duan të marrin pjesë të mendojnë për disa minuta rreth një çështjeje që lidhet me një brengë të përbashkët në komunitet, kolektiv ose grup specifik të qytetarëve. Kjo p.sh. mund të realizohet lidhur me problemet kruciale me të cilat përballen qytetarët e komunave shqiptare si Çairi, Tetova, Saraji etj. Hapësirat e bashkë-krijimit mund të jenë shkollat, burgjet ose bibliotekat dhe komunitetet e tyre (grupe shokësh të klasës, të burgosur ose përdorues). (Perelló, 2020)

Një projekt i titulluar “Public Editor” i thirr shkencëtarët qytetarë që të bashkëpunojnë për të luftuar dezinformimin dhe të shqyrtojnë besueshmërinë e lajmeve. E ngjashme është edhe nisma ‘NieuwsWijsNeuzen’ (‘NewsKnowAlls’) që përbën një pikë kontrolli të mediave sociale në bashkëkrijim me hulumtuesit, fëmijët dhe gazetarët.

Vaugn dhe kolegët (2018) kanë konstatuar se pjesëmarrësit joakademikë në hulumtimet sociale qytetare kanë përfshirë antarë komuniteti (16%), rini (11%), punëtorë shëndetësorë (8%), njerëz me çështje shëndetësore (8%), punëtorë (6%) dhe emigrantë (4%).

Sistemet e vlerave, qeverisja dhe ekonomia janë faktorë që ndikojnë në fenomenet e botës natyrale, andaj janë të rëndësishme për të kuptuar atë. Nga ana tjetër, metodologjitë dhe shkathtësitë nga shkencat sociale ndihmojnë shumë në të kuptuarit e motivimitt dhe proceseve të nxënies të pjesëtarëve, të rritjes së vetëefikasitetit të tyre, rezultateve dhe impaktit të projekteve. (Tauginienė, 2020)

Si përfundim mund të themi se në epokën digjitale mënyra të reja të dijes prodhohen, shpërndahen dhe shfrytëzohen. Shkenca civile, si bashkëkrijim (co-creation) (Jensen, 2022), si shkencë nga njerëzit për njerëzit (science by and for the people), dita ditës po fuqizohet në saje të internetit, smartfonëve dhe medias sociale. Shkencëtarët qytetarë, që observojnë, përshkruajnë, që identifikojnë dhe shfrytëzojnë mundësitë nga arsimi joformal, mund të dizajnojnë eksperimente, të mbledhin të dhëna, të analizojnë rezultate dhe të zgjidhin probleme. Dhe të dyja palët fitojnë, shkencëtarët ndihmohen për të mbledhur më shumë të dhëna, kurse publiku entuziast angazhohet në botën mahnitëse të shkencës. Si shqiptarë jemi larg kësaj kategorie, por një ditë e më parë duhet që të bëhemi pjesë këtij trendi kreativ, sfidues dhe të dobishëm për ne, mjedisin dhe globin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.