Kovaçevski: Detajet për qeverinë teknike do të dihen deri më 25 janar

Takimi me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, do të bëhet vitin e ardhshëm, para apo pas festave, tha sot kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. Në hapjen zyrtare të sallës sportive “Naum Naumovski-Borçe”, e njohur si “Partizan”, në Karposh të Shkupit, Kovaçevski tha se të gjitha detajet e qeverisë teknike do të dihen më së voni deri më 25 janar, transmeton Portalb.mk.

Ai sqaroi se LSDM-ja këtë javë i ka kaluar të gjitha procedurat për kandidatët partiakë për qeverisjen teknike.

Jovan Mitreski është kandidat i LSDM-së për kryetar të Kuvendit deri në fund të mandatit të përbërjes parlamentare 2020-2024, njoftoi partia në pushtet.

Si kandidate për zëvendëskryeministër përgjegjëse për politikat për qeverisje të mirë, Këshilli Qendror përcaktoi Sllavica Gërkovskën. Për zëvendëskryeministër për çështje ekonomike, për koordinimin e departamenteve ekonomike dhe investimeve u zgjodh Fatmir Bytyqi, për zëvendëskryeministër për çështje evropiane u zgjodh Bojan Mariçiq, ndërsa kandidate për ministre të kulturës u zgjodh Bisera Kostadinovska Stojçevska.

Kandidat për Ministër të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor u zgjodh Kaja Shukova, për Bujqësi Ljupço Nikolovski, për transport dhe lidhje Blagoj Boçvarski, ndërsa për  mbrojtjes Slavjanka Petrovska. 

Këshilli Qendror përcaktoi edhe kandidatët nga LSDM për zëvendësministra:

-Viktoria Avramovska Madiq, zëvendësministre e Drejtësisë;
– Maja Manoleva, zëvendësministre e Shëndetësisë;
– Aleksandar Baideski, zv/ministër për shoqëri informatike dhe administratë;
-Filip Nikolovski, zëvendësministër i Financave;
Miki Kërstev, zëvendësministër i vetëqeverisjes lokale.

Si kandidat për zëvendësministër shtesë për punë të brendshme, Këshilli Qendror i LSDM-së përcaktoi Mitko Bojmacalijev, shef aktual i kabinetit të ministrit Spasovski. Jovana Trençevska, kryetare e Forumit të Gruas dhe ministre aktuale, u përcaktua si kandidate për zëvendësministre shtesë për punë dhe politikë sociale.

Këshilli Qendror e zgjodhi sekretarin e përgjithshëm Mile Zeçeviq Vardarski për kryetar të shtabit qendror zgjedhor të LSDM-së.

Me 4 dhjetor, liderët e partive parlamentare arritën marrëveshje për datat e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm. Raundi i parë i garës për kreun e shtetit do të mbahet më 24 prill, kurse raundi i dytë së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj. Edhe 24 prilli dhe 8 maji 2024 janë ditë e mërkurë.

Kryeministri Kovaçevski pas takimit tha se sipas ligjit nga 28 janari do të ketë Qeveri teknike, përkatësisht Qeveri të Përzhinos dhe do të përmbushet obligimi ligjor që ka si kryeministër.