Xhaferi: Zgjedhjet do të shpallen në mes të shkurtit, ndërsa Kuvendi do të punojë deri në fillim të fushatës

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të shpallen njëkohësisht më 14 ose 15 shkurt, ndërsa Kuvendi do të punojë deri në fillim të prillit, kur edhe zyrtarisht duhet të fillojë fushata për zgjedhjet presidenciale, thotë në një intervistë për MIA-n, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, i cili do të jetë kryeministër teknik në qeveri teknike, transmeton Portalb.mk.

„Sipas orarit, nëse data e raundit të parë presidencial dhe data e zgjedhjeve parlamentare tashmë dihen, minimumi është 70 ditë para ditës së zgjedhjeve, ndërsa maksimumi 90 ditë, në mënyrë që në këtë situatë të jenë plotësuar kushtet për shpalljen e zgjedhjeve në të njëjtën ditë edhe për presidenciale dhe parlamentare. Dhe e kam fjalën për 14, 15 shkurt, tani duhet të shohim numrat konkretisht, gjysma e shkurtit është kur duhet të shpallen zgjedhjet dhe me këtë fillojnë obligimet e KSHZ-së për Listën Zgjedhore, afatet. Fushata zgjat 20 ditë. Fillon para ditës së votimit, pra nëse 24 prilli është raundi i parë i votimit (për zgjedhjet presidenciale)”, thotë Xhaferi.

Fushata për këto zgjedhje duhet të fillojë më 4 ose 5 prill dhe më pas për disa ditë do të ketë edhe fushatë për zgjedhjet parlamentare, duke pasur parasysh se nga 24 maji deri më 8 maj ka 14 ditë.

“Në atë situatë është rregull i pashkruar që Kuvendi të punojë vetëm kur është e nevojshme”, sqaron Xhaferi.

Për atë se a dëshiron personalisht të kandidojë në zgjedhjet parlamentare, ai thotë se ka ende çfarë t’i japë shoqërisë, BDI-së dhe institucioneve.

“E kam thënë, mendoj se kam ende diçka për t’i dhënë shoqërisë dhe subjektit dhe institucioneve në përgjithësi në atë kontekst. Por në instancën e fundit është politika, është punë e organeve të partisë. Në përgjithësi, siç e dini, nuk kam qenë në asnjë kombinim në 2006, 2008. E kam pranuar ashtu siç është vendosur në parti dhe nuk ka arsye të sillem ndryshe për aq sa kam pranuar të jem pjesë e një organizate që sipas rrethanave duhet të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur. Pra, po, nuk jam i ngarkuar me të. Më shumë mendoj për atë që vijon, si obligim dhe detyrë për të kryer, sesa për atë që pason gjatë procesit zgjedhor”, tha Xhaferi në një intervistë për MIA-n.

Në fillim të muajit, liderët e partive parlamentare arritën marrëveshje për datat e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm. Raundi i parë i garës për kreun e shtetit do të mbahet më 24 prill, kurse raundi i dytë së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj. Edhe 24 prilli dhe 8 maji 2024 janë ditë e mërkurë.

Kryeministri Kovaçevski pas takimit tha se sipas ligjit nga 28 janari do të ketë Qeveri teknike, përkatësisht Qeveri të Përzhinos dhe do të përmbushet obligimi ligjor që ka si kryeministër.