Korrupsioni të mos pranohet si “fenomen normal”: Aksione guerile në Shkup, Strumicë dhe Gostivar
Në kuadër të projektit “Partneritet i ri – Luftë e re kundër korrupsionit!”, i mbështetur nga Ambasada e Kanadasë, u zbatuan tre aksione guerile në Shkup, Strumicë dhe Gostivar, si një mënyrë krijuese dhe jokonvencionale që të rinjtë të shprehin publikisht qëndrimin e tyre kundër korrupsionit, transmeton Portalb.mk.
Aksionet guerile mbështeten në gjetjet e raportit analitik “Korrupsioni përmes perspektivës së të rinjve në Maqedoninë e Veriut”, të kryer në një mostër prej 304 të rinjsh të moshës 16 deri në 26 vjeç. Hulumtimi tregon se të rinjtë e perceptojnë korrupsionin si një problem sistemik dhe strukturor, më shpesh të lidhur me abuzimin me pushtetin, militantizmin politik dhe punësimin e padrejtë.
Gjetjet kryesore tregojnë se:
- 63.3% e të rinjve besojnë se korrupsioni është një nga faktorët kryesorë për emigrimin
- 58.7% e perceptojnë korrupsionin si më të përhapurin në gjyqësor dhe prokurori
- Pothuajse një e treta (29.5%) nuk i besojnë asnjë institucioni për luftën kundër korrupsionit
- Më shumë se 54% e të rinjve janë të gatshëm të përfshihen aktivisht në aktivitete kundër korrupsionit
Aksionet guerile në të tre qytetet u konceptuan dhe u zbatuan nga vetë të rinjtë, si një përgjigje simbolike, por e qartë ndaj ndjenjës së padrejtësisë, pafuqisë dhe mosbesimit që krijon korrupsioni tek popullata e re. Përmes hapësirës publike, mesazheve vizuale dhe ndërveprimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, të rinjtë dërguan mesazh se korrupsioni nuk duhet të pranohet si një “fenomen normal”.
Këto aktivitete janë pjesë e një projekti më të gjerë që përfshin kërkime, trajnime për agjentë të rinj kundër korrupsionit, forume rinore, debate publike dhe një fushatë në rrjetet sociale, me qëllim forcimin e pjesëmarrjes së të rinjve dhe qytetareve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Mesazhi është i qartë: Të rinjtë nuk janë një hallkë në zinxhirin e korrupsionit – ata janë faktori kyç në thyerjen e tij.