Komedia shqiptare “Dredhit e Patukut” më 20 shkurt do të ngjitet në teatrin e Zagrebit
Nën organizimin e Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit, Klubit të Rinisë Shqiptare dhe Teatrit të Tetovës, më 20 shkurt (e premte), me fillim nga ora 19:00, në Teatrin “Mala Scena” (Madveshçak 2, Zagreb), publiku do të ketë mundësinë të ndjekë komedinë e njohur të Gjergj Fishtës “Dredhit e Patukut”, me regji të Kushtrim Bekteshit, shkruan Portalb.mk.
Kjo nuk është thjesht shfaqje, është event kulturor që i jep zë humorit shqiptar në zemër të Zagrebit. Një vepër klasike, me satirë të fortë, me të qeshura të garantuara dhe me “goditje” që të bëjnë të mendosh edhe pasi të mbyllet perdja.
“Dredhit e Patukut” vjen si një pasqyrë e shoqërisë, me gjuhë të mprehtë dhe situata komike që e mbajnë publikun të lidhur nga minuta e parë deri në fund.
Përmes këtij bashkëpunimi, hapet mundësia për projekte të përbashkëta artistike, shkëmbime profesionale, vizita të trupave teatrore, prezantime të veprave bashkëkohore dhe nisma që synojnë promovimin e kulturës sonë në një dimension ndërkombëtar.
