Korrupsion dhe falsifikim dokumentesh në RMV: Bastisje në 15 lokacione dhe 11 të arrestuar, përfshirë edhe policë
“Pas disa muajsh procedurash para-hetimore të zhvilluara nga një prokuror publik nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime Policore dhe Anëtarë të Policisë së Burgjeve në bashkëpunim me Departamentin për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale në Ministrinë e Brendshme, sot, nën udhëheqjen e prokurorit përkatës, zyrtar policor nga Njësia Kundër Korrupsionit në Departamentin për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë kryen bastisje në 15 lokacione në Shkup, Shtip dhe në Pikën Kufitare Bllacë e Poshtme. 11 persona u arrestuan dhe dy persona nuk janë të disponueshëm për organet e zbatimit të ligjit”, thonë nga Prokuroria.
Duke vepruar mbi kallëzimin penal, prokurori publik lëshoi një urdhër për të zhvilluar një procedurë hetimore kundër 11 personave, shtatë prej të cilëve janë zyrtar policie. Tre persona dyshohet se kanë kryer vepër penale të vazhdueshme të Marrjes së shpërblimit për ndikim të paligjshëm, dy persona kanë kryer vepër penale të vazhdueshme të Marrjes së ryshfetit, ndërsa pesë persona akuzohen se kanë kryer nga një vepër penale të Dhënies së ryshfetit, një person ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar dhe ka kryer veprën penale të Përdorimit të dokumentit me përmbajtje të rreme, një person ka kryer veprën penale të Keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar, dhe një person ka kryer veprën penale të Falsifikimit të dokumentit.
Sipas përmbajtjes së pjesës dispozitive të urdhrit, nga janari deri në prill të këtij viti në Shtip, personat e dyshuar, duke përfituar nga ndikimi i tyre i supozuar mbi zyrtarët e dyshuar të policisë nga Stacioni Policor Bllacë dhe inspektorët nga Sektori për të Huaj në Shtip, me të cilët kishin krijuar marrëdhënie miqësore më parë, në të paktën katër raste u kanë mundësuar të paktën pesë shtetasve të huaj që qëndronin ilegalisht në Republikën e Maqedonisë të rregullojnë qëndrimin e tyre pa pengesa. Personat e dyshuar, kundrejt një shpërblimi të caktuar, ndërmjetësuan dhe ndërmorën veprime për të siguruar që shtetasit turq, të cilëve u kishte skaduar qëndrimi i miratuar për qëllime studimi, të merrnin leje qëndrimi të përkohshme në Republikën e Maqedonisë. Zyrtarët e dyshuar të policisë, duke pranuar ndikimin e ndërmjetësve, me qëllim përfitimin material për veten e tyre, tejkaluan kufijtë e autoritetit të tyre zyrtar dhe nuk e kryen detyrën e tyre zyrtare. Duke marrë parasysh se qëndrimi i paligjshëm, në përputhje me dispozitat e Ligjit për të Huajt, është kundërvajtje e dënueshme me gjobë në shumë prej 50 deri në 250 euro në kundërvlerë në denarë, të dyshuarit dëmtuan edhe buxhetin e RMV-së.
Prokurori Publik, duke marrë parasysh rrethanat, vlerësoi se kushtet janë përmbushur dhe do t’i paraqesë një propozim gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për caktimin e masës së paraburgimit për pesë të dyshuar, ndërsa për tetë persona propozim për caktimin e masave paraprake.