Kontrolli i Brendshëm në MPB heton keqpërdorimin e patentë-shoferëve, paligjshëm janë shtuar kategoritë C dhe D
Kontrolli i Brendshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) po heton një rast në të cilin të punësuar në shërbimet administrative të policisë, në mënyrë të paligjshme u kanë shtuar kategori në patentë-shoferë personave që asnjëherë nuk kanë dhënë provim për drejtimin e kamionit apo autobusit, njoftoi TV Sitel, transmeton Portalb.mk.
Sipas informacioneve të publikuara në disa media, për shtimin e paligjshëm të kategorisë C ose D janë paguar nga 1.400 euro.
„Nga Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së, është njoftuar Prokuroria Publike Themelore kompetente dhe në koordinim me Prokurorinë po ndërmerren aktivitetet përkatëse për zbardhjen e rastit“, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Me rastin është njoftuar një prokuror nga Prokuroria Publike e Shkupit, por, sipas informacioneve të Sitelit, procedura për momentin zhvillohet në kuadër të MPB-së. Përmes saj duhet të përcaktohet se sa të punësuar në shërbimet administrative kanë qenë të përfshirë në shtimin e paligjshëm të kategorive, si dhe sa patentë-shoferë janë lëshuar në këtë mënyrë.
Personat që janë objekt i hetimit janë kapur në flagrancë, përkatësisht gjatë procesit të shtimit të kategorive që drejtuesit e automjeteve nuk i kishin më parë.
„Procedura funksiononte në atë mënyrë që personi deklaronte se e kishte humbur patentë-shoferin dhe parashtronte kërkesë për lëshimin e një të reje. Gjatë fotografimit për patentë-shoferin e ri, në sistem shtohej një kategori më e lartë, kështu që drejtuesi merrte dokument të ri me të drejtë për të drejtuar edhe automjete për të cilat nuk kishte dhënë provim“, thuhet në publikimin e medias.
Sipas Sitelit, në grupin që dyshohet se ishte i përfshirë në lëshimin e patentë-shoferëve të falsifikuar ka persona që më parë kanë qenë të përfshirë në aferën me pasaportat e falsifikuara, e cila u zbulua para pesë vitesh.
Në atë rast, dhjetë të punësuar në MPB u dënuan me burgim dhe dënime me kusht. Sipas aktgjykimit, ata për lëshimin e pasaportave të falsifikuara merrnin nga disa mijëra euro, ndërsa përdornin të dhënat e shtetasve të Maqedonisë që nuk kishin nxjerrë kurrë pasaportë, të kombinuara me fotografi dhe të dhëna të shtetasve të huaj.
Në këtë mënyrë ishin lëshuar më shumë se 200 pasaporta të falsifikuara, disa prej të cilave përfunduan te persona të lidhur me krimin dhe trafikun e drogës, si dhe te persona për të cilët ishin shpallur fletarrestime ndërkombëtare.
Për rastin reaguan edhe nga partia E Majta, nga ku pretendojnë se bëhet fjalë për më shumë se 300 patentë-shoferë, në të cilët në mënyrë të paligjshme janë futur kategori për drejtimin e automjeteve të rënda motorike dhe autobusëve për persona që nuk i plotësonin kushtet ligjore.
Partia e akuzon udhëheqësinë e MPB-së se nuk ka arritur të parandalojë keqpërdorimet brenda strukturave të saj dhe kërkon nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, të japë përgjigje se si ka funksionuar skema e dyshuar.
Nga partia kërkojnë një hetim urgjent, të plotë dhe të pavarur, i cili nuk do të kufizohet vetëm te zyrtarët që drejtpërdrejt kanë kryer veprimet e paligjshme.