Kontrabandistët e emigrantes së vrarë Fatima u dënuan me nga një vit burg, ende s’ka përgjigje nëse polici nga RMV-ja ka shtënë ndaj saj

Nga një vit burg morën kontrabandistët e migrantes Fatima, e cila mbeti e vrarë në Gjevgjeli pas një përleshje mes tyre dhe policisë, mëson “Makfax”. Por, edhe më tej nuk ka përgjigje se kush e ka gjuajtur plumbin nga pistoleta e policisë ndaj saj – personat që e transportonin apo polici, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion po zhvillon procedimin. Zyrtari policor ka statusin e të dyshuarit. Por nuk dihet nëse ai do të ulet në bankën e të akuzuarve apo do të lirohet. Vendimi do të merret kur të merret raporti i autopsisë.

“Procedura hetimore është duke vazhduar. Prokurori publik në fjalë ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit. Pas marrjes së raportit të autopsisë, do të sillet vendimi i prokurorit për rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës. Për të dyshuarin, prokurori në fjalë nga Departamenti i Specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me kompetenca policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve në momentin e hapjes së procedurës hetimore në Gjykatën Themelore Penale – Shkup ka kërkuar që të caktohen masa e kujdesit ndaj të dyshuarit. Gjyqtari i procedurës paraprake e ka pranuar propozimin dhe e ka urdhëruar të dyshuarin që herë pas here të paraqitet te një zyrtar i caktuar ose te organi kompetent shtetëror dhe atij i është konfiskuar përkohësisht dokumenti i udhëtimit apo ndonjë dokument tjetër për kalimin e kufirit shtetëror, gjegjësisht ndalim për dhënien e tij”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për “Makfax”.

Dy kontrabandistët, të cilët u kapën me emigrantë në automjetet e tyre, u deklaruan fajtorë.

“Të dy të pandehurit kanë aktgjykim të formës jo të prerë bazuar në pranimin e fajësisë, me të cilin të dy personat dënohen me një vit burgim”, kanë thënë për “Makfax” nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Kontrabandistët kanë tentuar të arratisen kur policia ka dashur t’u ndalojë veturën. Pasi kanë dështuar janë ndalur dhe ka pasur përleshje mes tyre dhe policëve. Nga pistoleta e shërbimit të policit është qëlluar me plumb, i cili ka goditur mërgranten Fatima, e cila ka ndërruar jetë në moshën 23-vjeçare.

Organizata joqeveritare Second tree ka publikuar detaje të rastit. Në momentin e të shtënave, ajo ishte me bashkëshortin e saj Abu Bakar, i cili kërkonte drejtësi për gruan e tij. Fatima ka kaluar kufirin grek që kur vendi refuzoi kërkesën e saj për azil. Ajo jetonte në një kamp refugjatësh.

LEXO: Një polic e ka vrarë një emigrant në Gjevgjeli