Konkurs për mbrojtjen e mjedisit jetësor në Maqedoninë e Veriut, do të shpërblehen pesë projektet më të mira

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të mund të aplikojnë deri më 22 janar në projektin “Praktika të qëndrueshme në amvisëri që përdoren në jetën e përditshme për të reduktuar gjurmën e karbonit”. Në këtë Konkurs është planifikuar përzgjedhja e pesë projekteve më të mira, transmeton Portalb.mk.

“Për të fituar një nga shpërblimet, plotëso Google formën dhe ngarko foto ose video me një përshkrim të shkurtër të praktikave tënde të përditshme të qëndrueshme në amvisëri që kontribuojnë në reduktimin e gjurmë së karbonit”, thuhet në Konkursin e hartuar nga Organizata për lidhjen e vlerave natyrore dhe njerëzve.

Çmimi i parë do të marrë 750 euro, i dyti 500 euro, i treti 350 euro, i katërti 250 euro dhe vendi i pestë 150 euro.

“Praktikat e qëndrueshme mund të lidhen me ushqimin, energjinë, transportin, mbeturinat dhe të ngjashme, si për shembull: përdorimi i burimeve alternative të energjisë, kursimi i energjisë elektrike dhe nxehtësisë, ripërdorimi i materialeve dhe riciklimi, kompostimi, mbledhja e ujit të shiut, shprehi ekologjike në transport me qëllim reduktimin e emetimit të karbonit, duke përdorur pajisje me efikasitet energjetik në amvisëri”, theksohet në Konkurs, duke paralajmëruar që fituesit do të shpallen në afat prej 7 ditë pune.