Konjufca: Nëse dialogu e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës, është mirë t’i themi mirupafshim

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova është nisur dhe qëndron në dialog mbështetur në dy parime, që dialogu është për njohje reciproke dhe që çfarëdo rregullimi për të drejtat e serbëve është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, njofton Koha.net.

Ai ka thënë se kurrfarë pozicioni antikushtetues nuk mund të jetë bazë për negociata, ndërkohë që ka folur për draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimit të Kosovës, minimit të themeleve të shtetit tonë, atëherë është mirë të themi ne mirupafshim, se nuk ka interes këtu. Normalizimi vjen për shkak se shkohet drejt njohjes së ndërsjellë, normalizimi nuk vjen me shkatërru shtetin e Kosovës me një republikë serbe”.