Komuna e Tetovës me vendim të ri për faturat e ujit: për fshatrat, pronarët e shtëpive dhe banesave do të ketë ndryshime (VIDEO)

Pas kaosit me ankesat e qytetarëve të Tetovës për marrjen e faturave të larta për shërbimet komunale (mbeturina, ujë, kanalizim, pastërti publike), Komuna e Tetovës kumtoi vendimet e reja për uljen e çmimit të faturave. Kryetari i Komunës, Bilall Kasami tha se masat vijnë pas mbledhjes me ndërmarrjen ‘Saubermacher’ e cila bën faturimin, shkruan Portalb.mk.

Përmes një konference për shtyp, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami mes tjerash sqaroi se:

  • Çmimet e shërbimeve komunale për të gjitha fshatrat e malësisë së Tetovës do të jenë 340 denarë, ku nënkuptohet vetëm shërbimi i menaxhimit me mbeturina, pa pastërtinë publike dhe pa shërbimin e ujit dhe kanalizimit.
  • Për fshatrat të pjesës së Pollogut (Reçicë e Madhe, Reçicë e Vogël, Poroj, Xhepçisht, Falisht dhe Saraqinë) shërbimi i menaxhimit me mbeturina do kushtojë 540 denarë.
  • Qytetarët që kanë më shumë se dy banesa apo mërgimtarët që kanë më shumë se një objekt banimi të evidentuar do të paguajnë gjysmën e hapësirës së banueshme dhe taksë prej 100 denarë për qasje në sistemin me furnizim të ujit të pijshëm dhe 100 denarë për pastërtinë publike. Për faturat e muajit shkurt, pagesa e ujit dhe kanalizimit do të ju fshihet, kjo do të bëhet me vendim të Këshillit Komunal i cili do të vendos brenda kësaj jave.
  • Nëse qytetarët kanë marrë fatura më të larta për muajin shkurt, në muajin mars dhe prill do të ju minusohen, pra do ju vijnë faturat në vlerë 0 derisa të vijnë në vlerën që kanë paguar paraprakisht për muajin shkurt.
  • Ndërmarrja për ujësjellës “Sharri” është obliguar që deri në fund të vitit të instalojë ujëmatës për çdo klient, qytetar. Nga momenti i instalimit, në përgjithësi nga viti i ardhshëm do duhet të jenë të instaluar ujëmatësit për shumicën e banorëve. Deri atëherë është dhënë udhëzim që çdo banor në pjesën urbane të qytetit pra uji dhe kanalizimi do të faturohet për pjesën që furnizohet me ujë dhe shërbimet e kanalizimit, do të jetë për shtëpi. Ata që jetojnë në shtëpi do paguajnë taksë komunale për ujë dhe kanalizim jo më shumë se 320 denarë. Gjithë ata që jetojnë në banesa nuk do paguajnë më shumë se 230 denarë.
  • Së shpejti do të vihet në funksion edhe mundësia për bërjen e pagesave online të faturave.

Në lidhje me faturimin e hapësirave jo të banueshme si bodrume, garazhe, stalla dhe të tjera, Kasami theksoi se të dhënat janë marrë nga Kadastra, por që gjatë këtij viti do të punohet për azhurimin e të dhënave dhe këto pengesa të eliminohen. Kasami theksoi se qytetarët nuk do të pguajnë për këto hapësira.

Për rastet ku në një hapësirë banimi ka më shumë pronar dhe marrin fatura të gjithë për të njëjtin objekt, Kasami tha se është rënë dakord që një nga pronarët duhet të jep deklaratë se ai do i mbulojë harxhimet për atë objekt dhe të tjerët nuk do duhet të paguajnë.

Qytetarët për ankesa mund të drejtohen në zyrat e ‘Saubermacher’ në fshatin Pallçisht, në zyrat e NPK-së te Tregu i Gjelbër në Tetovë. Ndërsa edhe në Komunën e Tetovës do të ketë persona nga ‘Saubermacher” ku qytetarët mund t’i paraqesin rastet.

Dhjetë ditët e fundit ka pasur shumë ankesa nga qytetarët se atyre ju kanë arritur fatura shumë të larta për shërbimet komunale, pasi faturat për muajin shkurt 2024 kanë nisur të lëshohen nga ndërmarrja ‘Saubermacher’, e cila me partneritet publiko-privat ka marrë përsipër menaxhimin e këtij aktiviteti, ndërsa Komuna e Tetovës në janar 2024 miratoi çmimore të re për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave, me çka përllogaritja bëhet për metër katrorë, ndryshoi edhe çmimorja për ujin.

Ndërmarrja ‘Saubermacher’ e cila lëshon faturat, ka theksuar se ata vetëm bëjnë faturimin ndërsa se vendimet për çmimoret i sjell komuna dhe se të dhënat e përllogaritura në fatura janë të marra nga komuna.

Kujtojmë që Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” për menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.