‘Saubermacher’ për faturat e larta të qytetarëve: Komuna e Tetovës sjell vendimet, ne vetëm i zbatojmë

Ndërmarrja sllovene ‘Saubermacher’ e cila menaxhon me mbeturinat në Tetovë për Portalb.mk ka sqaruar dilemat për marrjen e faturave më të larta se paraprakisht nga ana e qytetarëve. Nga kjo ndërmarrje thonë se ata bëjnë faturimin edhe për NPK “Sharri” (furnizim me ujë të pijshëm dhe largim të ujërave të zeza) dhe NPK “Tetova” (mirëmbajtje e pastërtisë publike). Megjithatë, theksojnë se vendimet për çmimoret i sjell Komuna e Tetovës dhe të dhënat e përllogaritura në fatura janë të marra nga komuna. Komuna arsyetohet dhe hesht.

Ditëve të fundit, tetovarët janë ankuar dhe kanë reaguar për marrjen e faturave më të shtrenjta për shërbimet komunale në Tetovë.

Kompania ‘Saubermahcher’ sqaron se me kërkesë të Komunës së Tetovës kanë lidhur marrëveshje për mbështetje teknike në faturimin e shërbimeve nga ndërmarrjet publike NPK “Sharri” (furnizim me ujë të pijshëm dhe largim të ujërave të zeza) dhe NPK “Tetova” (mirëmbajtje e pastërtisë publike).

“Lidhur me përcaktimin e mënyrës së llogaritjes dhe përcaktimit të tarifave (çmimeve) për secilin shërbim komunal, theksojmë që këto janë vendime të miratuara nga komuna e Tetovës, përkatësisht nga Këshilli i Komunës së Tetovës. Të gjitha të dhënat kadastrale, për klientët që kanë marrë faturat e para, janë siguruar nga Komuna, sipas marrëveshjes për Partneritet Publiko Privat. Gjithashtu, theksojmë se të dhënat kadastrale janë të disponueshme publikisht edhe në faqen zyrtare të Agjencisë për kadastër të patundshmërive në vend”, theksojnë nga ‘Saubermacher.’

Ata theksuan se “punojnë në mënyrë transparente në zgjidhjen dhe shpjegimin e secilit rast individualisht.”

Rikujtojmë se, informimi i Komunës së Tetovës lë shumë pikëpyetje pasi nuk qartëson se pse disa banorë kanë marrë fatura më të larta për shërbimet komunale. Komuna thotë se edhe përkundër faktit që është ndryshuar metodologjia e përllogaritjes, nuk ka rritje të çmimit për njësi.

“Gjithë qytetarët të cilët kanë pranuar fatura më të larta se muajt e kaluar, le të drejtohen te zyrat që ndodhet tek Tregu i Gjelbër në Tetovë si dhe në hyrje të fshatit Pallçisht, për të harmonizuar të dhënat e tyre që ndërmarrja të mund të bëj faturimin real. Nëse nuk do të jeni të kënaqur me përgjigjen e ndërmarrjes komunale, do të keni mundësi të drejtoheni edhe në zyrat e Komunës së Tetovës. Ne si komunë do të formojmë një komision të veçantë për të shqyrtuar çdo rast të paraqitur dhe do të gjejmë zgjidhje që do të jetë në interesin e qytetarit”, tha Komuna e Tetovës.

Por nga ky institucion nuk përgjigjen në sqarimet shtesë që kërkoi Portalb.mk.

Në lidhje me marrjen e faturave më të larta kanë reaguar edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dega e Tetovës.

Këshilli i Komunës së Tetovës me 12 janar 2024 miratoi çmimoren për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave në territorin e Komunës së Tetovës. U theksua se për gjashtë muaj do të kërkohet nga ndërmarrja të sjellë raport te këshilli dhe të shihet si ka funksionuar puna me këtë rregullore.

Kjo çmimore për grumbullimin e mbeturinave është për metër katror me grupet si vijon:

  • Çmimi i grumbullimit të mbeturinave për amvisëri do të jetë 3.20 denarë për metër katrorë.
  • Çmimi i grumbullimit të mbeturinave për nëngrupin e parë të personave juridik do të jetë 4.35 denarë.
  • Çmimi i grumbullimit të mbeturinave për nëngrupin e dytë të personave juridik (subjektet e vogla, të mesme dhe të mëdha) do të jetë 4.95 denarë.

Sipas vendimit të 31 janar 2024, tarifa për shërbimin e ujit për furnizim me ujë për pije është si vijon:

  • Amvisëritë për çdo metër katror ujë të konsumuar do paguajnë nga 20 denarë për vitet 2024, 2025 dhe 2026.
  • Të gjithë shfrytëzuesit tjerë për çdo metër katror ujë të konsumuar do paguajnë 27,5 denarë në 2024, 28 denarë në 2025 dhe 29 denarë në 2026.

Sipas vendimit të 31 janar 2024, tarifa për grumbullimin e mënjanimit të ujërave të zeza urbane është si vijon:

  • Amvisëritë për çdo metër katror mënjanim të ujërave të zeza do paguajnë nga 2.80 denarë në 2024, 2.85 denarë në 2025 dhe 2.90 denarë në 2026.
  • Të gjithë shfrytëzuesit tjerë për çdo metër katror do paguajnë nga 4.95 denarë në 2024, 5.00 denarë në 2025 dhe në 2026.

Ndërsa sipas vendimit për tarifën e mirëmbajtjes së pastërtisë publike të sjellë në vitin 2010, amvisëritë paguajnë 100 denarë në muaj, ndërsa dyqanet 150 denarë në muaj.

Kujtojmë që Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.