Nuk ka qartësim konkret pse qytetarët e Tetovës kanë marrë fatura më të shtrenjta, reagoi dhe BDI

Nuk ka qartësim konkret pse qytetarët e Tetovës kanë marrë fatura më të shtrenjta për shërbimet komunale nga ndërmarrja “Saubermbacher” e cila menaxhon me mbeturinat. Në kumtesën e Komunës së Tetovës të dërguar dje thuhet se “nëse qytetarët kanë marrë fatura më të larta të ankohen”, por sot nuk u përgjigjën në pyetjet e redaksisë së Portalb.mk për sqarime më të detajuara. Hesht dhe kompania sllovene ndërkaq për rastin reagoi dhe Bashkimi Demokratik për Integrim.

Informimi i djeshëm nga Komuna e Tetovës lë shumë pikëpyetje, pasi që nuk qartëson pse disa banorë kanë marrë faktura më të larta për shërbimet komunale. Në kumtesë u bëhet apel qytetarëve të ankohen, ndërkaq thotë se “nuk ka rritje të çmimit”.

Portalb.mk kërkoi sqarime shtesë nga Komuna e Tetovës dhe Saubermacher për këtë problem, por të dyja deri në publikimin e këtij artikulli nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Nga ana tjetër, sot reaguan edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim të cilët thonë se qytetarët paguajnë katërfishin e asaj që kanë paguar deri më tani për mbeturinat falë faturave të arritura nga Saubermacher.

Dega e BDI-së në Tetovë. Foto: BDI
Rina Ajdari në foltore me anëtarët e degës së BDI-së në Tetovë. Foto: BDI

Rina Ajdari nga BDI theksoi se qytetarët që deri tani kanë paguar nga 300 denarë tani e tutje do të paguajnë nga 1300 denarë në muaj dhe se për një vit një familje do të shpenzojë 200 euro më tepër.

“E gjithë kjo erdhi si pasojë e paaftësisë për të menaxhuar me institucionet komunale duke i bërë të njëjtat me partneritet publiko-privat, vetëm e vetëm për të përfituar personat e rrethit të ngushtë të tyre. Ndërsa e gjithë kjo po shkon në kurriz të qytetarëve” tha Ajdari.

Ajo shtoi se qytetarët e Tetovës detyrohen të paguajnë për shërbime fiktive që fare nuk i marrin, duke përmendur si shembull faturat e mbeturinave nga vendbanimet Poroj dhe Xhepçisht, ku qytetarët paguajnë për kanalizim dhe ujë të pijshëm, ndërsa nuk kanë sistem të kanalizimit dhe ujin e pijshëm e menaxhojnë bashkësitë lokale të këtyre vendbanimeve me mjete vetanake.

Komuna e Tetovës informoi dje se qytetarët të cilët kanë pranuar fatura më të larta se muajt e kaluar të drejtohen te zyrat që ndodhet te Tregu i Gjelbër në Tetovë si dhe në hyrje të fshatit Pallçisht, për të harmonizuar të dhënat e tyre që ndërmarrja të mund të bëj faturimin real.

“Nëse nuk do të jeni të kënaqur me përgjigjen e ndërmarrjes komunale, do të keni mundësi të drejtoheni edhe në zyrat e Komunës së Tetovës. Ne si komunë do të formojmë një komision të veçantë për të shqyrtuar çdo rast të paraqitur dhe do të gjejmë zgjidhje që do të jetë në interesin e qytetarit”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Këshilli i Komunës së Tetovës me 12 janar 2024 ndryshoi çmimoren për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave në territorin e Komunës së Tetovës. U theksua se për gjashtë muaj do të kërkohet nga ndërmarrja të sjellë raport te këshilli dhe të shihet si ka funksionuar puna me këtë rregullore.

Kjo çmimore për grumbullimin e mbeturinave është për metër katror me grupet si vijon:

  • Çmimi i grumbullimit të mbeturinave për amvisëri do të jetë 3.20 denarë për metër katrorë.
  • Çmimi i grumbullimit të mbeturinave për nëngrupin e parë të personave juridik do të jetë 4.35 denarë.
  • Çmimi i grumbullimit të mbeturinave për nëngrupin e dytë të personave juridik (subjektet e vogla, të mesme dhe të mëdha) do të jetë 4.95 denarë.

Kujtojmë që Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.