Kaos me faturat për shërbimet komunale, tetovarët marrin fatura të majme edhe për stalla dhe garazhe

Nuk kanë fund ankesat e qytetarëve të Tetovës për marrjen e faturave shumë më të larta se paraprakisht për shërbimet komunale (mbeturina, ujë, kanalizme, pastërti publike) nga ndërmarrja “Saubermacher”. Ata thonë se me metodologjinë e re të faturimit ka shumë gabime në llogaritje dhe se atyre u ngarkohen edhe bodrume, stalla dhe hapësira të tjera. Komuna e Tetovës nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske, shkruan Portalb.mk.

Faturat për muajin shkurt 2024 kanë nisur të lëshohen nga ndërmarrja ‘Saubermacher’, e cila me partneritet publik-privat ka marrë përsipër menaxhimin e këtij aktiviteti, ndërsa Komuna e Tetovës në janar 2024 miratoi çmimore të re për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave, me çka përllogaritja bëhet për metër katrorë, ndryshoi edhe çmimorja për ujin.

Përderisa Tetova vazhdon të mbetet plot mbeturina dhe pastërtia publike lë shumë për të dëshiruar, kjo përllogaritje qytetarëve iu është bërë barrë e panevojshme.

Një qytetar me të cilin biseduam thekson se për muajin shkurt ka marrë faturë mbi katër mijë denarë, ai thotë se kjo mënyrë llogaritjeje nuk është e duhura.

“Kompania e re e mbeturinave ka faturuar hapësira që nuk mund te paguajnë shërbime si për shembull, një pjesë që është në fletë pronësi timen, një objekt. Në një lokacion tjetër që nuk është as pronë e imja por institucion shtetëror e kanë faturuar. Kjo mendoj se është pastër vjedhje, vetëm që të merren më shumë, jepen fatura për shërbime as që ofrohen, dhe me rritjen e çmimeve mendoj se duhet menjëherë të merren masa”, theksoi qytetari.

Një qytetar tjetër thekson se derisa nuk merren shërbime cilësore, nuk ja vlen të bëhet pagesa.

“Ka që disa vjet që nuk e paguaj aspak, paguaja por as ujë nuk kishim as mbeturinat nuk pastroheshin, asgjë në rregull, për ujë ne kemi pompe në banesën tonë – e paguajmë mirëmbajtjen dhe konsumin e energjisë së pompës që të kemi ujë. Për çfarë duhet t’i paguaj ndërmarrjes kur vidheshin. E çoj inatin, eventualisht do i paguaj ndonjë ditë”, tha qytetari.

Krahas ankesave në rrjetet sociale për faturimet e majme dhe gabimet tjera teknike, qytetarët kanë filluar edhe të ironizojnë me një faturë ku emri është përkthyer gabim. Një qytetari me emrin Naser Luta, fatura në gjuhën shqipe i ka shkuar në emrin Naseri i Zemëruar.

Fatura me gabim, foto nga Arjanit Xhaferi
Fatura me gabim, foto nga Arjanit Xhaferi

Kaosin me faturat e lëshuara nga ‘Saubermacher’, organizata Më Mirë për Tetovën (MMPT) e konsideron brengë serioze të banorëve të Tetovës pasi në shtëpitë e tyre, janë dërguar deri në 2-3 fatura me emra të ndryshëm të anëtarëve të familjes.

“Tragjike është se shuma e faturave është rritur mesatarisht për rreth 300%, me disa raste % është edhe më e madhe. Qytetarëve të Tetovës tani u dyfishohet stresi. Fillimisht ishte kur merrnin faturat nga EVN, dhe tani edhe me faturat nga kompania Saubermacher. Për fat të keq, ka raste kur faturat e kompanisë që duhet të kujdeset për pastërtinë e qytetit e kalon shumën e faturave nga EVN, ndërsa në terren gjendja me mbeturinat mbetet skandaloze”, theksuan nga MMPT të cilët apeluan që autoritet komunale të gjejnë një zgjidhje për të përmirësuar situatën.

Ata shtuan se është e papranueshme që në këtë periudhë krize ekonomike, qytetarët të goditen në xhepin e tyre me këtë situatë të papërshtatshme.

Nga ana tjetër, edhe dega e VMRO-DPMNE-së në Tetovë ka verifikuar se ka shumë parregullsi dhe gabime në përllogaritje që çojnë në një rritje jo reale të shumës totale të një pjese të faturave, gjë që sipas tyre shkakton shqetësim dhe revoltë të justifikuar te qytetarët.

“Gjithashtu duam të informojmë se kemi pasur një takim urgjent me kryetarin e komunës dhe drejtuesit e ndërmarrjeve, ku kërkuam që menjëherë të hiqen parregullsitë në përllogaritje dhe morëm sigurinë se kjo do të bëhet dhe askush nuk do të dëmtohet”, thanë nga VMRO-DPMNE Tetovë.

Për këtë problem banorët e Tetovës u ankuan para mediave edhe para zyrave të Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova”. Ata thanë se ju kanë arritur fatura shumë më të larta nga që paguanin paraprakisht, ndërsa fatura kanë marrë edhe për stalla dhe garazhe, ndërsa konsideruan si jo të drejtë vendimin për llogaritjen e re të faturave.

Logoja e Kompanisë Saubermaher dhe Komunës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Logoja e Kompanisë Saubermaher dhe Komunës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ndërmarrja ‘Saubermacher’ e cila lëshon faturat, për Portalb.mk më 22 prill thanë se ata vetëm bëjnë faturimin ndërsa se vendimet për çmimoret i sjell komuna dhe se të dhënat e përllogaritura në fatura janë të marra nga komuna.

“Të gjitha të dhënat kadastrale, për klientët që kanë marrë faturat e para, janë siguruar nga Komuna, sipas marrëveshjes për Partneritet Publiko Privat. Gjithashtu, theksojmë se të dhënat kadastrale janë të disponueshme publikisht edhe në faqen zyrtare të Agjencisë për kadastër të patundshmërive në vend”, theksojnë nga ‘Saubermacher’.

Ndërkaq Komuna e Tetovës nuk përgjigjet në pyetjet e Portalb.mk se pse qytetarëve u janë ngarkuar këto fatura kaq të larta dhe me shumë gabime. Para disa ditëve informuan që “qytetarët të cilët kanë pranuar fatura më të larta se muajt e kaluar, le të drejtohen te zyrat që ndodhet tek Tregu i Gjelbër në Tetovë si dhe në hyrje të fshatit Pallçisht, për të harmonizuar të dhënat e tyre që ndërmarrja të mund të bëj faturimin real”.

Në lidhje me marrjen e faturave më të larta para disa ditëve reaguan edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dega e Tetovës.

Seanca e 27-të e Këshillit Komunal të Tetovës (31.01.2024). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Seanca e 27-të e Këshillit Komunal të Tetovës (31.01.2024). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Këshilli i Komunës së Tetovës me 12 janar 2024 miratoi çmimoren për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave në territorin e Komunës së Tetovës. U theksua se për gjashtë muaj do të kërkohet nga ndërmarrja të sjellë raport te këshilli dhe të shihet si ka funksionuar puna me këtë rregullore.

Kjo çmimore për grumbullimin e mbeturinave është për metër katror me grupet si vijon:

  • Çmimi i grumbullimit të mbeturinave për amvisëri do të jetë 3.20 denarë për metër katrorë.
  • Çmimi i grumbullimit të mbeturinave për nëngrupin e parë të personave juridik do të jetë 4.35 denarë.
  • Çmimi i grumbullimit të mbeturinave për nëngrupin e dytë të personave juridik (subjektet e vogla, të mesme dhe të mëdha) do të jetë 4.95 denarë.

Sipas vendimit të 31 janar 2024, tarifa për shërbimin e ujit për furnizim me ujë për pije është si vijon:

  • Amvisëritë për çdo metër katror ujë të konsumuar do paguajnë nga 20 denarë për vitet 2024, 2025 dhe 2026.
  • Të gjithë shfrytëzuesit tjerë për çdo metër katror ujë të konsumuar do paguajnë 27,5 denarë në 2024, 28 denarë në 2025 dhe 29 denarë në 2026.

Sipas vendimit të 31 janar 2024, tarifa për grumbullimin e mënjanimit të ujërave të zeza urbane është si vijon:

  • Amvisëritë për çdo metër katror mënjanim të ujërave të zeza do paguajnë nga 2.80 denarë në 2024, 2.85 denarë në 2025 dhe 2.90 denarë në 2026.
  • Të gjithë shfrytëzuesit tjerë për çdo metër katror do paguajnë nga 4.95 denarë në 2024, 5.00 denarë në 2025 dhe në 2026.

Ndërsa sipas vendimit për tarifën e mirëmbajtjes së pastërtisë publike të sjellë në vitin 2010, amvisëritë paguajnë 100 denarë në muaj, ndërsa dyqanet 150 denarë në muaj.

Kujtojmë që Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.