Rruga e Butiqeve në Tetovë tanimë një vjet pret rikonstruimin, duhet të mbarojë deri në korrik 2024

Ndonëse edhe pak bëhen një vjet që nga nënshkrimi i marrëveshjes për rikonstruimin e rrugës së Butiqeve në Tetovë (Radovan Coniq), punimet në terren nuk kanë filluar ende, pavarësisht se u paralajmëruan se do të fillojnë në muajin gusht, raporton Portalb.mk.

Rikonstruimi i kësaj rruge prej rreth 420 metrave është i paraparë të bëhet përmes bashkëfinancimit të projektit të IPA programit ndërkufitar me Kosovën 2014-2020 “Ringjallje e zejeve dhe ndërtim të kulturës për zhvillim të përbashkët turistik”, ku është i kyçur edhe Prizreni.

Për atë se ku ka ngecur ky projekt dhe se kur pritet të përfundojë, nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk theksojnë se afati i parashikuar i punimeve do të zgjasë deri në fillim të vitit të ardhshëm.

“Në kohën e fundit, është aprovuar një shtesë në buxhet, pasi projektin ka kushtuar më shumë se sa ishte parashikuar në buxhetin fillestar të ndërtimit të rrugës. Pas nënshkrimit të marrëveshjes me kontraktorin, punimet do të nisin menjëherë, dhe afati i parashikuar (në varësi të kushteve të motit) do të zgjasë deri në fillim të vitit të ardhshëm”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Rruga e Butiqeve në Tetovë (Radovan Coniq). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Rruga e Butiqeve në Tetovë (Radovan Coniq). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Delegacioni i BE-së në vend për Portalb.mk njoftoi se “projekti është duke vijuar, me zbatim deri në korrik 2024”.

Ministria e Vetëqeverisjes Lokale për Portalb.mk thotë se subjekti përgjegjës për realizimin e projektit të rikonstruimit në rrugën Radovan Coniq është Komuna e Tetovës dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ofron bashkëfinancim kombëtar në vlerë prej 15% të shpenzimeve për realizimin e projektit. Ndërkaq në konstruksionin financiar të projektit merr pjesë edhe komuna e Tetovës.

“Në bazë të marrëveshjes, afati i fundit për zbatimin e projektit është data 14 korrik 2024. Sipas informacioneve, procedura për realizimin e projektit ka filluar dhe pritet të përfundojë brenda afatit të paraparë. Në datën 30 tetor 2023 do të bëhet monitorimi i statusit të zbatimit të projektit nga palët kontraktuese”, thanë nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale.

Rruga e Butiqeve në Tetovë (Radovan Coniq). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Rruga e Butiqeve në Tetovë (Radovan Coniq). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Marrëveshja për rikonstruimin e rrugës së Butiqeve në Tetovë u nënshkrua me 30 nëntor 2022 nga kryetari i Komunës së Tetovës dhe ministrit të Vetëqeverisjes Lokale.

Në qershor 2023 gazeta Koha raportoi se kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka deklaruar se rikonstruimi i rrugës së Butiqeve në Tetovë do të fillojë të realizohet në pjesën e dytë të muajit gusht, respektivisht pas përfundimit të sezonit veror, ku komuna e Tetovës ka arritur që të dakordohet me Bashkimin Evropian për shtim të mjeteve për këtë projekt. Megjithatë punimet nuk nisën as gjatë kësaj periudhe.

Me këtë projekt pritet që të ruhet identiteti dhe autenticiteti i Rrugës së Butiqeve apo i Çarshisë së Epërme. Kjo rrugë në të kaluarën ishte shumë e njohur dhe e frekuentuar nga qytetarët për artizanalet megjithatë sot bizneset që ndodhen aty nuk kanë punë sikur para disa viteve.