Komuna e Strugës e shiti për 22 mijë euro veturën e famshme Audi që e bleu Ramis Merko

Komuna e Strugës njoftoi se e ka përfunduar shitja e automjetit zyrtar Audi A6 që e bleu ish-krytari Ramiz Merko, përmes ankandit publik, ku ofertën më të lartë, në vlerë prej 22 mijë euro, e paraqiti një kompani nga Manastiri, transmeton Portalb.mk.

Sipas Komunës, në ankand morën pjesë nëntë palë të interesuara nga Struga, Ohri, Manastiri dhe Shkupi. Mjetet e siguruara nga shitja do të përdoren për uljen e borxhit të Komunës.

Më herët, Komuna kishte bërë të ditur se të ardhurat nga shitja e automjetit ishin planifikuar të përdoreshin për blerjen e një furgoni që do t’u shërbente klubeve sportive dhe qendrës për fëmijë me nevoja të veçanta. Pas tejkalimit të pengesave ligjore, ankandi u realizua me sukses.

Paraprakisht procedura u ndërpre për shkak  të përmbarimit për një borxh të vjetër të Komunës së Strugë.

Autmojeti më 16 mars duhej të nxirrej në shitje me çmim fillestar prej 1.344.636 denarësh, ose rreth 21.800 euro.

Audi A6, të cilin Komuna e Strugës e bleu për 67.000 euro kur Ramiz Merko ishte kryetar, shkaktoi debat publik për shkak të blerjes gjatë një periudhe kur llogaria e bashkisë ishte e bllokuar.

U ngrit edhe padi kundër Merkos, por gjykata e Strugës vendosi që ai nuk ishte fajtor për blerjen e automjetit luksoz.