“Audiu i Merkos” në ankand, çmimi fillestar 21.800 euro

Komuna e Strugës njofton se më 16 të këtij muaji do të mbahet ankandi për shitjen e makinës Audi A6, me çmim fillestar prej 1.344.636 denarë, ose rreth 21.800 euro, transmeton Portalb.mk.

Ankandi, sipas shërbimit për shtyp të komunës, do të fillojë në orën 10:00 në faqen e internetit e-stvari.mk.

Mjetet nga shitja e makinës do të përdoren për blerjen e një furgoni që do t’i shërbejë nevojave të administratës komunale dhe klubeve sportive në qytet, thuhet në njoftim.

Komuna njofton gjithashtu se njoftimi nr. 1/2026 për shitjen e pasurisë së luajtshme – automjet motorik pasagjerësh përmes një ankandi elektronik, është publikuar në Gazetën Zyrtare.

“Ftojmë të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në ankand. Atje do të publikohen të gjitha informacionet në lidhje me automjetin, si dhe udhëzimet për aplikim”, njofton Komuna e Strugës.

Audi A6, të cilin Komuna e Strugës e bleu për 67.000 euro kur Ramiz Merko ishte kryetar, shkaktoi debat publik për shkak të blerjes gjatë një periudhe kur llogaria e bashkisë ishte e bllokuar.

U ngrit edhe padi kundër Merkos, por gjykata e Strugës vendosi që ai nuk ishte fajtor për blerjen e automjetit luksoz.