Borxhi i vjetër i komunës pengoi ankandin për shitjen e veturës së famshme Audi që e bleu Ramis Merko

Për shkak të një procedure të përmbarimit për një borxh të vjetër të Komunës së Strugës, është penguar procedura për shitjen e automjetit zyrtar Audi A6, i cili duhej të vendosej në ankand më 16 mars, ndërsa paratë do të përdoreshin për blerjen e një furgoni që do të përdorej nga klubet sportive dhe qendra për fëmijë me nevoja të veçanta, njoftoi Komuna e Strugës, pas interesimit të mediave mbi procesin, transmeton Portalb.mk.

“Realizimi i këtij vendimi është penguar për shkak të një procedure përmbarimore që lidhet me një borxh të trashëguar nga viti 2016 në vlerë prej rreth 1.4 milion denarë. Për shkak të kamatave dhe përllogaritjeve që nga viti 2018, kjo shumë aktualisht ka arritur në rreth 3 milion denarë. Gjithashtu fakt është se rastet e përbarimit janë të shumta në Komunën e Strugës”, thonë nga Komuna.

Komuna e Strugës njofton se kryetari i komunës, Mendi Qyra, është në komunikim me palët e përfshira me qëllim që procesi të përfundojë në interes të qytetarëve.

Rasti, siç theksojnë, është edhe një tregues i gjendjes së vështirë financiare të trashëguar.

“Si pasojë e aktivizimit të kësaj procedure nga përmbaruesi, Kryetari është në diskutim me të gjithë palët se si ky proces të përfundojë në dobi të qytetarëve.
Ky rast është një tjetër dëshmi e situatës së rënduar financiare që Komuna e Strugës ka trashëguar nga vitet e kaluara. Pavarësisht kësaj, Kryetari Qyra mbetet i përkushtuar për menaxhim transparent të financave komunale dhe për gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë në interes të qytetarëve”, thonë nga Komuna.

Autmojeti më 16 mars duhej të nxirrej në shitje me çmim fillestar prej 1.344.636 denarësh, ose rreth 21.800 euro.

Audi A6, të cilin Komuna e Strugës e bleu për 67.000 euro kur Ramiz Merko ishte kryetar, shkaktoi debat publik për shkak të blerjes gjatë një periudhe kur llogaria e bashkisë ishte e bllokuar.

U ngrit edhe padi kundër Merkos, por gjykata e Strugës vendosi që ai nuk ishte fajtor për blerjen e automjetit luksoz.