Radev: Së shpejti do të bëhet e qartë nëse VMRO-DPMNE do të punojë në integrimet evropiane

Presidenti bullgar Rumen Radev komentoi se së shpejti do të bëhet e qartë nëse kryetarja e sapozgjedhur Gordana Siljanovska-Davkova dhe partia VMRO-DPMNE do të punojnë për perspektivën evropiane të Shkupit. Ai, siç raporton media bullgare “Mediapul.bg”, ka thënë se gjithmonë e ka përkrahur integrimin evropian të Maqedonisë, por në përputhje me parimet e fqinjësisë së mirë dhe kriteret e Kopenhagës për anëtarësim, transmeton Portalb.mk.

“Dhe kjo do të nënkuptonte ndryshimin e Kushtetutës dhe respektimin e të drejtave të bullgarëve maqedonas. Refuzim i gjuhës së urrejtjes, e cila u përhap në këtë fushatë zgjedhore, rishikim i teksteve, respektim dhe mbrojtje të trashëgimisë kulturore-historike bullgare në këtë vend”, theksoi Radev.

Siç kujtojnë mediat, para votimit partitë shqiptare ranë dakord të mos mbështesin një qeveri që nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese.

“Bullgarët duhet të përfshihen me ta në ligjin bazë. Kjo përcaktohet në kuadrin negociator të Maqedonisë së Veriut dhe është kusht për fillimin e negociatave reale për anëtarësim në BE. VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, bllokoi ndryshimet në parlamentin e kaluar dhe zhvilloi një fushatë të fuqishme antibullgare. Tashmë çështja është kthyer në rendin e ditës”, raporton “Mediapool.bg”.

Ndryshe, kriteret për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian janë shumë të qarta. Në fillim të prillit, Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Çështjet e Fqinjësisë Oliver Varheyi deklaroi se nuk pret ndonjë ndryshim në kuadrin negociator, përveç realizimin e ndryshimeve kushtetuese.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.