Kombe dhe ideale

Të punosh për një botë më të mirë do të thotë të punosh me frymëzim, qëllim, përkushtim dhe sakrificë.

Do të thotë të kesh synim human dhe të punosh për realizimin e këtij synimi.

Do të thotë të marrësh përgjegjësi individuale dhe shoqërore.

Do të thotë ta mbjellësh një pemë nga e cila do të ushqehen fëmijët e pa lindur.

Do të thotë ta kuptosh se liria rrezikohet aty ku njeriu nuk ndjehet përgjegjës.

Do të thotë ta kuptosh jetën si mundësi për të lënë gjurmë të përgjithmonshme.

Do të thotë të mos thirresh në komb, por të punosh në heshtje për kombin.

Do të thotë të punosh pa u merakosur se çfarë thonë gojët e liga, sepse kush e dëgjon ç’thotë bota e humb orientimin dhe adresën.

Të punosh për një qëllim do të thotë të jesh i gatshëm t’ia paguash tagrin përkushtimit jetësor.

Njerëzit dhe kombet që kanë ideale nuk rendin të çoroditur drejt së ardhmes.

Shtetet këto ideale i quajnë strategji kombëtare.

Kombet pa strategji kombëtare janë si anijet pa timonier, që shkojnë nga i çon era e shtrëngata.

Kombet me strategji afatgjate veprimi asgjë nuk ia lënë rastësisë dhe kanë zgjidhje të planifikuara për çfarëdo pengese që u shfaqet.

Realizimi i strategjive kombëtare bëhet nga burrështetasit në bashkëpunim me elitat mendore dhe jo nga politikanë që reklamohen nga mediet dhe çdo ngjarje të parëndësishme e shpallin si historike.

Burrështetasit i bashkojnë potencialet e kombit dhe punojnë pareshtur e me përgjegjësi për mbrothësinë e tij.

Nëse pyesim a mund të gjejmë sot kësi burrështetasish, përgjigja do të ishte si e Çehovit: “Do të kërkojmë”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.