Ali Pajaziti: Bota po përjeton një krizë të madhe morale dhe etike (Intervistë)

Profesori Ali Pajaziti, i cili këtë muaj ka fituar një çmim nga Federata Universale e Paqes dhe një nga Qyteti i Shkupit, në intervistën e tij për Portalb.mk tregon punën e tij 21 vjeçare në sferën e sociologjisë dhe etikës si dhe jep mendimin e tij rreth gjendjes aktuale të shoqërisë. Ai thotë se bota po përjeton një krizë të madhe morale, etike, mediat dhe rrjetet sociale janë banalizuar, kurse po hapen parti si me hap kafene. Megjithatë ai tregon optimizëm për sa i përketë rinisë, duke thënë se rinia ka rrëzuar regjime gjatë historisë.

Ali Pajaziti është profesor i sociologjisë, etikës dhe antropologjisë në Universitetin e Evropës Juglindore (SEEU), si dhe përkthyes. Ai këtë muaj ka pranuar dy çmime, çmimin “Ambasador i Paqes” të dhuruar nga Federata Universale e Paqes më 8 nëntor, për temën “Kërkimi i paqes në kohët apokaliptike: enigmat e reja dhe të vjetra në botë dhe në Ballkan” si dhe çmimin e Qytetit të Shkupit “13 Nëntori”, të cilin Pajaziti e fitoi për kontributin e tij në sferën e sociologjisë si publicist, autor i disa librave dhe përkthyes shkencor i disa veprave.

Portalb: Keni marrë çmimin “13 Nëntori”, i cili ndahet për arritje në periudhën prej një viti (deri në përfundimin e konkursit). Na tregoni pak për punën dhe aktivitetet tuaja gjatë këtij viti që ju kanë bërë konkurrues të fortë për këtë çmim!

Ali Pajaziti: Një pyetje shumë kritike, që na bën të flasim për vetveten, që do na bën të dalim nga modestia, të numërojmë të arriturat tona, por sidoqoftë, le t’ia nisim. Siç dihet një nga parimet më të thella dhe më të qëndrueshme në natyrën e njeriut është pasioni për të qenë i vlerësuar. (W. James) Kjo ka të bëjë me atë që quhet kulturë e mirënjohjes (culture of recognition). Ky ishte motivi i aplikimit në konkursin e shpallur nga  Qyteti i Shkupit. Pika e katërt e konkursit për Çmimin “13 Nëntori” përmban edhe fjalinë “tërësi e veprimit krijues të përmbyllur ose që vazhdon”. Pra, shpërblimi që na u akordua është vlerësim i punës tonë 21 vjeçare në arsim, si autor, si hulumtues, studiues, përkthyes, publicist, analist dhe si figurë publike në përgjithësi. Kemi aplikuar me CV-në tonë që e ka vlerësuar juria e ekspertëve dhe kompetentëve që kanë pasur parasysh kontinuumin veprimor dhe impaktin social. Pra ata kanë vlerësuar karrierën tonë si sociolog, si profesor i sociologjisë, etikës dhe antropologjisë në UEJL, në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” (Manastir), në Kolegjin universitar “Iliria” dhe në FSI (Prishtinë), 22 vepra autoriale, 42 përkthime librash nga anglishtja, turqishtja dhe serbishtja, 390 citime në google scholar, kryesimin me Forumin Sociologjik Ballkanik për shtatë vite (2014-2021), aktualisht me Shoqatën Sociologjike Shqiptare (ALBSA), punën tonë si kryeredaktor i botimeve socio-humanistike në shtëpinë botuese prestigjioze Logos-A. Mendoj që vendimtar ka qenë magnum opusi ynë Fjalor i sociologjisë në krye dhe të tjerat që e shoqërojnë. Vitin që shkoi e shënuam me një vepër trevëllimëshe, përmbledhjen e artikujve apo krestomacinë 1800-faqëshe, Sociologji e islamit që është kapitalizim i punës tonë disavjeçare.

Portalb: Keni marrë çmimin “Ambasador i Paqes” për temën “Kërkimi i paqes në kohët apokaliptike: enigmat e reja dhe të vjetra në botë dhe në Ballkan”. Cilat janë çështjet kryesore që shqyrtohen në këtë temë dhe cili është mesazhi i saj?

Ali Pajaziti: Në artikullin në fjalë kemi shkruar për paqen si sens njerëzor, si antipod i luftës, si kulturë e veçantë, mënyrë jetese e pëllumbit dhe degës së ullirit, që sipas Yannis Ritzos (2017) nënkupton një rend ku nuk ka shtypës dhe të shtypur, ku nuk ka shfrytëzim të mundit njerëzor, sistemin e  drejtësisë, ku nuk ka të varfër. “Është gjendje ku një vend nuk e kërcënon tjetrin”, ku një shtet nuk synon hegjemoninë ekonomike, politike, ushtarake ndaj vendit tjetër. Në të theksojmë se të frymosh paqësisht do të thotë të jetosh  sipas rregullit të artë (golden rule): “Duaja tjetrit atë që e do për vetveten!” Është një botëkuptim mbi paqen e përjetshme, të përhershme (Kant), një ide morale, një idealizëm, një objektiv i arritshëm. Ndonëse kjo tezë bie ndesh me qasjen realiste, është më shpresëdhënëse dhe më konstruktive për njeriun dhe njerëzimin, për botën që sot po jeton çaste apokaliptike. Në artikullin në fjalë kemi nënvizuar se kurrë s’duhet hequr dorë nga  përpjekja për dialog, mirëkuptim, se pacifizmi është një mision nga i cili s’guxojmë të heqim dorë, të gjithë, për të mirën tonë dhe të brezave. Tezat i kemi mbështetur edhe te dy veprat që kemi  përkthyer, “Unë dhe tjetri” dhe “A mund të eliminohet lufta?”, që trajtojnë problemet lidhur me tjetërsinë, me ata që s’janë si ne dhe mundësinë dhe ëndrrën për një botë pa përleshje, pa konflikte, pa luftë.

Portalb: Ku shkon shoqëria jonë për sa u përket vlerave morale, a ka një krizë të vlerave, si pasojë e, të themi, varësisë nga rrjetet sociale?

Ali Pajaziti: Është evidente që bota jonë, e shekullit XXI po përjeton një krizë të madhe morale, etike.  Jetojmë në një kohë kur mbizotëron makiavelizmi, utilitarizmi, hedonizmi dhe pragmatizmi që s’njohin vlera sublime, parime universale. Sot gjithçka është materializuar, gjithçka shikohet përmes optikës së dobisë, kënaqësisë vetjake, duke përjashtuar lumturinë e tjetrit. Kemi shkatërruar mjedisin, habitatin, qytetin, e kemi prurë njeriun hipermodern buzë greminës. E kemi afruar me gjithë botën, por e kemi ndarë nga vëllai, motra, prindërit komshiu. Sot kemi sasiorisht më shumë, por cilësisht shumë më pak. Nuk vuajmë për bukë, vuajmë për njerëzillëk. Nga shkolla deri në parlament shohim zënka, përplasje. Titujt e gazetave, webfaqeve dhe portaleve na flasin për luftëra, korrupsion, drogëra që shpërndahen në çdo cep të shoqërisë, për divorce, dhunë, shkelje flagrante normash elementare të mirësjelljes, pa na barë pët syri. Kultura është dekulturiuzar, civilizimi është shndërruar në fjalë enciklopedike dhe ligjërimore në katedrat universitare. Vlerat janë shndërruar, janë bërë të padukshme karshi ceneve dhe antivlerave të tejpërhapura dhe dominante. Në shekullin 21, në epokën e teknologjisë informatike dhe të inteligjencës artificiale, kur përballemi edhe me varësinë nga mediat sociale, përveç rrafshit konkret të jetës së përditshme do duhet që të merremi edhe me atë që quhet urtësi dhe virtyte kibernetike (cyber-wisdom dhe cyber-virtues). Na duhet që të japim maksimumin që të mund të shpëtojmë nga ajo që Kim (1999) e ka quajtur krizë globale, kurse Dennis dhe Harrison (2020) mjegull morale (moral fog).

Portalb: Si e shihni gjendjen e mediave në vend në aspektin e cilësisë së informacioneve?

Ali Pajaziti: Mediat si në botë ashtu edhe në RMV janë shumëfishuar skajshëm, pra kemi një shtim të madh të mundësive për të marrë lajme. Dikur kemi pasur vetëm TV-të dhe radiot shtetërore, ndërsa sot kemi një mori syresh private, dhe kemi edhe banalizimin mediatik me mediat apo rrjetet sociale kur nuk dihet “kush ha e kush pi”. Kemi masivizim të informacionave por edhe të keqinformimit apo të manipulimit të opinionit publik. Dikur lajmi ka kaluar nëpër redaksi gazetareske, që ka rritur cilësinë e lajmit apo komentit, sot, respekt për përjashtimet që na mbajnë gjallë me informacion të shëndetshëm, përballemi një helmim masiv të auditorit edhe nga budallallëqet e njerëzve që s’janë të vetëdijshëm për atë që publikojnë dhe për pasojat që postimi i tyre mund të shkaktojë. Shikuar nga perspektiva e zogut, kemi medie serioze por edhe syresh me diskurs të çekuilibruar, me agjenda ideologjike, ultranacionaliste, ku gravitojnë gazetarë e njerëz që s’kanë çka i japin shoqërisë. Mediat komerciale gjithçka e indeksojnë me shikimet dhe klikimet, ndërsa ato serioze mbeten të margjinalizuara. Lum për ato vatra mediatike që ruajnë nivelin, që i përmbahen kodeksit, etikës profesionale dhe vlerave të mirëfillta.

Portalb: Në kampin shqiptar politik janë duke u hapur shumë parti, si ndikon kjo në progresin e një shoqërie, a mendoni se po bëhen shumë klane me interesa vetjake?

Ali Pajaziti: Edhe puna e politikës me sa duket e ka humbur shijen dhe kuptimin, por megjithatë kemi nevojë për një “anije politike” që do të menaxhojë shtetin dhe punët publike, pa politikë s’bën. Klanizmi është bërë trend, rrjetet fitimsynuese janë përhapur gjithandej. Aritmetika e partive politike duket e tepërt për një demografi si kjo e jona. Realiteti është ky. Qytetari do ta ketë rëndë të “prononcohet” në një kontekst të tillë, sepse vijat po relativizohen, po bëhen të paqarta. Demokracia nuk nënkupton hapje të partive si kafenetë, sepse megjithatë partitë janë entitete serioze, janë institucione shoqërore që duhet të kenë koka që dinë, duan  dhe guxojnë të arrijnë objektivat në favor të popullit, jo në favor të “elitave” apo establishmenteve të caktuara. Me gjasë në të ardhmen do veprojë ligji i seleksionit natyror dhe disa subjekte politike do të zhduken nga skena, ngase e kaluara na mëson se kanë ikur edhe syresh me taban shumë të fuqishëm (PPD). “Peshku i madh” ndër ne deri tash ka arritur t’i kapërdijë të gjithë oponentët dhe e nesërmja do të tregojë nëse do të shfaqet apo fuqizohet ndonjë subjekt tjetër që seriozisht ta ndryshojë konstelacion politik shqiptar ndër ne.  Rritja e numrit të partive politike nuk është peshqesh por arsye për të vënë gishtin në mendje, për të arsyetuar arsyeshëm politikisht. Të habit fakti që vazhdimisht lexojmë për akademi të shumta politike të partive politike apo të OJQ-ve, por s’kemi ndonjë përparim në spektrin politik.

Portalb: Çfarë mendoni për aktivizimin studentor dhe për rininë në përgjithësi, për të mbrojtur të drejtat e tyre?

Ali Pajaziti: Njëmendësia dhe monizmi moti kanë perënduar, zaten jetojmë në kohën e post-modernës kur ka më shumë narrativa, metanarrativa. Gjallnia rinore dhe studentorë janë si buka dhe uji për çdo shoqëri. Për sa i përket aktivizmit studentor apo rinor ndër ne mund të themi se emprikisht ekzistojnë forume dhe parlamente studentore që duhet “të luftojnë” për kauzën  e tyre si qytetarë akademikë, me kurba të ndryshme të vitalitetit në skenën universitare dhe më gjerë. Në disa universitete ka më tepër gjallëri, në disa heshtje dhe mbyllje goje. Në këtë drejtim vetë universitetet e kanë për detyrë të nxisin aktivizmin studentor, ngase universiteti simbolizon lirinë, pavarësinë, mendimin kritik, shprehjen pa doreza edhe përballë autoritetit më të fuqishëm. Guximi studentor ndër shqiptarët e RMV-së nuk është në nivelin e duhur. Nëse vazhdimisht flasim për pluralizëm, atëherë ky pluralizëm duhet të shprehet edhe përmes zërit të rinisë së amfiteatrove. Rinia ka rrëzuar regjime gjatë historisë, ka hequr tullat e para që kanë nënkuptuar fundin e Jugosllavisë. Studenti gjithnjë ka të drejtë, sepse ai është kërkues, është kategori sociale vitale. Ai mund të gabojë, por gabimi i tij është kalimtar, sepse vepron përmes formulës trial-error-problem solving. Ne si universitet, si UEJL, emblemë programore e kemi “mendimin kritik” që ua përcjellim edhe studentëve tanë dhe me këtë frymë ata kanë arritur që të guxojnë të debatojnë, të shprehen se nuk pajtohen me ne, madje edhe të kritikojnë qëndrimet tona, gjë që është për t’u krenuar. Vetëm me këtë diskurs ia kemi dalë që ish-studentët tanë t’i kemi të pranueshëm gjithandej, ligjërues në SHBA, Suedi, EBA, të punësuar në pozita prestigjioze nga Kopenhaga në Alaskë, Sarajevë, Prishtinë, nga Ecolog te Erste, GIZ, Migros, në poste kulmore brenda vendit ku dallohen me kulturën e veçantë të alma mater-it, ndërmarrës privatë të suksesshëm. Natyrisht që kemi shumë për të bërë në drejtim të rrokjes së majave akademike dhe përtej. Përsosuria është ideal që lakmohet dhe për të cilin duhet punuar paprerë!