Zgjerim evropian me shikim kah Lindja: Ballkani Perëndimor në plan të dytë

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
  • “Një madhësi për të gjithë” kundrejt qasjes individuale –

Edhe dy javë pas shpalljes së Paketës për këtë vit të Komisionit Evropian për Zgjerimin për tani dhjetë anëtarët potencialë të BE-së, me përjashtime të vogla, mungojnë analiza kritike për atë. Fokusi kryesor është te prurjet e reja në paket – sigurisht më së shumti te Ukraina, e pastaj Moldavia e Gjeorgjia. Përshtypja e parë është se jo vetëm që zgjerimi u shtua me shtete të reja, por se tani shtetet e reja me kandidaturë të fituar me procedurë të përshpejtuar po e marrin primatin. Ballkani Perëndimor mbetet në plan të dytë, ndërsa Turqia as nuk vendoset në kontekstin e anëtarësisë së ardhshme.

Më të rëndësishme për analizë janë ndryshimet që grupi i ri në mënyrë thelbësore i sjell në procesin e zgjerimit. Atë tani e karakterizon shumë më shumë diversitet – si në aspektin e madhësisë, strukturës ekonomike, ashtu edhe në aspektin e sistemeve politike dhe juridike.

  1. Nëse Ballkani Perëndimor ende vuan nga çështje të pazgjidhura bilaterale, por edhe çështje të imponuara nga shtete anëtare të BE-së, Ukraina është ende në luftë – me gjendje lufte në fuqi për shkak të së cilës nuk mbahen zgjedhje. Edhe Moldavia dhe Gjeorgjia kanë pjesë territoresh të kontrolluara nga Rusia. Dhe përderisa gjendja e këtillë jep një motivim plotësues gjeo-politik mbi zgjerimin, ajo njëkohësisht e përforcon aspektin e tij të sigurisë dhe të mbrojtjes, ndërsa harmonizimi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë bëhet kriter që del edhe para kritereve politike për anëtarësim.
  2. Kur Komisioni në mënyrë deklarative e vendos parimin e sundimit të së drejtës para dhe mbi të gjithë parimet e zgjerimit, në praktikë ajo që dominon mbi meritokracinë është gjeo-politika (posaçërisht e theksuar në analizën kritike të Think-Tank Qendrës së Brukselit për politikën Evropiane – EPC). Avancimi i shpejtë i treshes lindore nuk do të ishte i mundur pa i zbritur disa shkallë të kushtëzimit në fushën e sundimit të së drejtës në krahasim me shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe kushtet bazike të kritereve politike, gjegjësisht institucionet demokratike – mbajtjen e zgjedhjeve. E pikërisht kjo kundërthënie i komprometon parimet e deklaruara të zgjerimit dhe premtimin se do ai do të zhvillohet “sipas meritave”. Kjo në mënyrë plotësuese kontribuon për uljen e kredibilitetit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, por edhe të nxitjes për reforma.
  3. Nëse sfidat e integrimit të Ballkanit Perëndimor për BE-në ishin të kufizuara në disa aspekte të kapacitetit të saj integrues, sfidat e anëtarësimit potencial të Ukrainës janë jashtëzakonisht të mëdha.
Këshilli i BE-së Bashkimi Evropian BE Eurointegrime. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Këshilli i BE-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
  • Për kapacitetin institucional integrues së BE-së Ballkani Perëndimor paraqet sfidë vetëm nga aspekti i mundësisë së përdorimit të së drejtës së VETO-s. Pjesëmarrja e tyre nëpër institucione nuk mundet në masë të madhe ta ndryshojë ekuilibrin e fuqive. Kundrejt kësaj, anëtarësimi potencial i Ukrainës është sfidë në përgjithësi për reformën institucionale. Për shembull, simulimi i Think – Tank-ut të Brukselit CEPS tregon se nëse përdoret formula e tanishme për shpërndarjen e votave në shumicën e kualifikuar, Ukraina do të ketë 9% të votave (duke e ulur, për shembull pjesëmarrjen e Gjermanisë nga 18,59% aktuale në 16,9%).
  • Zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor nuk do të ishte sfidë e madhe në aspektin e ndikimit mbi politikat, që sigurisht do të jetë rast me anëtarësimin e Ukrainës – posaçërisht ndikimi mbi politikën bujqësore, por edhe në përgjithësi funksionimi i tregut evropian.
  • Nga ana tjetër, Ukraina shihet edhe si një mundësi e madhe për investime – posaçërisht në fushën e energjetikës, bujqësisë, IT sektorit, por edhe si burim i fuqisë punëtore me kualifikime të larta.
  • Ukraina dukshëm i rrit shpenzimet e Buxhetit të BE-së, për dallim nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Vlerësimet janë se nëse do të zbatoheshin rregullat aktuale për përdorimin e fondeve të BE-së, ky vend do të kishte përdorur 186 miliardë euro nga gjithsej 256,8 miliardë euro për të nëntë kandidatët (pa e llogaritur Turqinë) për periudhën e ardhshme buxhetore shtatë vjeçare. Kjo do të shkaktojë që shumë shtete që për momentin janë shfrytëzues të buxhetit të BE-së të vijnë në pozitë që të jenë kontribues të tij, ose thënë më thjesht, në vend që të marrin më shumë nga Buxheti i BE-së, do të japin më shumë në të. Ky presion i Buxhetit të Unionit dukshëm e vështirëson vendimin për zgjerimin e shteteve anëtare.
  1. Ende ka dallime të dukshme në nivelin e përgatitjes për marren e acquis-it midis shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Treshes Lindore – posaçërisht Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria në krahasim me Treshen Lindore. Mirëpo, ekziston një nxitje më e fortë për reforma në Lindje.

Kundrejt diversitetit të këtillë dhe ndërlikueshmërisë së re të procesit të zgjerimit, nëse shqyrtohen mekanizmat që i propozon, gjegjësisht aplikon Komisioni Evropian si përgjigje ndaj kërkesave për integrim të përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor, do të vërehet se ato lëvizin në drejtim të qasjes “një madhësi për të gjithë”. Kjo u pa edhe në propozimin për ndryshime të marrëveshjeve për stabilizim dhe asociim që do të bënin më të ngjashme me marrëveshjet për “zonën më të thellë dhe gjithëpërfshirëse për tregti” që i ka Treshja Lindore me BE-në. Përveç kësaj, përafrim i instrumenteve duket edhe te planet për rritje gjegjësisht planet ekonomike dhe për investime.

Qasja e këtillë jo vetëm që nuk has në reagim nga ana e liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, por në rajon mungon edhe analiza kritika dhe debati mbi shumë pyetjet e reja që i parashtron procesi i ndryshuar në thelb i zgjerimit.