Kolumbo (II)
Ati shpirtëror i kolumnës moderne është Samuel Johnson (1709-1784), leksikografi më i njohur anglez, i cili i shqetësuar nga niveli i medieve të kohës së tij, e nisi gazetën “The Rambler”, ku nga viti 1750 deri në 1752, dy herë në javë mbushte pothuajse gjithë hapësirën e saj (gjithsej 208 numra), duke shkruar për jetën kulturore dhe përditshmërinë e Londrës. (lokoportal.com)
Disa si fazë të afirmimit të kolumnës e shohin çerekun e parë të shek. XIX, si dhe periudhën pas Luftës së Parë Botërore. “Reuters” shënon se kolumnat janë vitrinë e ekspertëve, pra skenë ku defilojnë kokat e dalluara të bashkësisë. Sam Riley, në veprën e tij The American Newspaper Columnist kolumnën e përkufizon si shkrim rreth 750–850 fjalësh, shkruar në përmasa ditore, javore… Kolumnat në vete ngërthejnë prova të fuqishme që prodhojnë mendim, pranojnë pikëpamjet e ndryshme dhe janë jashtëideologjike ose mbiideologjike. Kolumnat janë njësi shkrimore të zgjedhura vullnetshëm nga autori, jo shkrime me porosi të ndonjë individi, lideri, grupi për presion, të interesit, të një fraksioni politik apo çfarëdoqoftë. Ato duhet të pasqyrojnë mendimin e lirë në plotëkuptimin e fjalës, jo animet, preferencat dhe subjektivizmat e autorit. Kolumnat duhet të jenë zë autentik që formon opinionin. Kolumnat e nivelit më të lartë janë ligjërata, janë “mini-shkollë” ose “katedër alternative universitare” ku lexuesit e zgjedhur iluminohen dhe nxiten për dinamizëm ideor dhe jetik. Kolumnistët janë artizanë që mësojnë “çirakët” e tyre lexues, mendimtarët-shkrues të ardhshmes, që frymëzohen nga mjeshtrit e këtij zanati.
Kolumnistët kanë rol kyç në ndihmën e lexuesve për të shqyrtuar çështje të rëndësishme që ndikojnë tek ata, komuniteti i tyre, vendi dhe më gjerë. Kolumnistët ka ndodhur të rrëzojnë edhe qeveri, të shprehin teza e teori që kanë determinuar agjenda globale. Kolumnistët kontribuojnë në diskutimin publik dhe mbështesin funksionimin e shtypit të lirë. Puna e tyre informon dhe sfidon publikun, duke inkurajuar një kuptim më të thellë të temave komplekse. Kjo përgjegjësi i bën ata të rëndësishëm në formësimin e mënyrës sesi njerëzit angazhohen me ngjarjet aktuale. Siç shprehet Rachel Broughnan (2022), kolumnistët punojnë për të na bërë të mendojmë (work to make us think).
Ne me kolumnën kemi qenë tok që nga ditët studentore kur blenim gazetat dhe sa i merrnim në dorë, ashtu “të nxehta”, direkt shkonim te kolumnat, të cilat pasi i lexonim, më mbresëlënëset i prisnim me gërshërë dhe i arkivonim për t’i shfrytëzuar më vonë. I lexonim artikullshkruesit e njohur ballkanikë që sapo kishin nisur të shijojnë demokracinë dhe ambientin e mendimit të lirë. Ndërkohë mësuam se figurat globale më të mëdha të kësaj sfere janë Paul Krugman, Thomas Friedman, Nicholas Christof, Bernard Henry-Levy…
Ç’e do që në shoqërinë tonë kolumna nuk është profilizuar si dhe sa duhet, nuk ndiqet me shumë vëmendje, nuk është gjithaq e popullarizuar. Një pjesë e mirë e auditorit shqiptar lexojnë mediet rozë dhe shkrimet e cekëta. Përderisa paprerë do jemi në rrjetet sociale, në FB, X, Insta e TikTok, pa lexuar tekste mendimesh më të thella do vazhdojmë të jemi aty ku jemi. Përderisa do kemi këtë nivel të edukatës së përgjithshme, kur e përfolim intelektualitetin pa u thelluar në produktet e tij, përderisa do hamë ‘kolumbo’ dhe nuk lexojmë kolumna, përderisa nuk e ushqejmë mendjen pak më tepër sesa që e ushqejmë trupin, s’mund të ecim përpara; do të mbetemi shumë larg lokomotivës qytetërimore, do mbetemi “periferi e periferisë” Edhe “Kolumbo”, edhe “Lindt”, edhe çokolladat e “Evropës” së Shkupit janë të mira. Por shumë më të dobishme janë leximet e opinioneve të kokave të ndritura. Natyrisht që të gjithë s’mund të jenë të shkolluar, intelektualë, por ama së paku vokabularin elementar (semantikën e kolumnës) duhet ta dijë një pjesëtar i shtresës së mesme. Një kafe, “Kolumbo” pranë, dhe një kolumnë cilësore në letër. S’ka më mirë! S’ka kënaqësi më të madhe!
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.