Ambasada e Austrisë: Komuna e Tetovës do të mbështesë restaurimin e shenjave të dëmtuara të shtegut dimëror nga Kodra e Diellit te Maja e Titos 

Pas vandalizmit të mbi 45 shenjave sijnalizuese dimërore përgjatë shtegut nga Kodra e Diellit te Maja e Titos, ambasadori i Austrisë së bashku me kreun e Komunës së Tetovës vizituan lokacionin. Ambasada njoftoi se komuna e ka marrë përsipër t’i riparojë dëmet, transmeton Portalb.mk.

Shkatërrimi i shenjave jo vetëm që ka shkaktuar dëm prej rreth 8.000 eurosh, por ka krijuar edhe një problem serioz për sigurinë e alpinistëve në këtë zonë. 

“Gjatë vizitës, kryetari Bilall Kasami njoftoi se Komuna e Tetovës është e gatshme të mbulojë financiarisht restaurimin e shtyllave të dëmtuara, në koordinim me Parkun Kombëtar dhe partnerët e “Projektit Slavkov“, para fillimit të sezonit të ardhshëm dimëror”, informoi Ambasada e Austrisë. 

Kujtojmë se shenjat sinjalizuese ishin vendosur nga më shumë se 25 vullnetarë, me mbështetjen e Ambasadës së Austrisë, pas muajsh pune në kushte të vështira malore. Ndërkaq ditë më parë të njëjtat u dëmtuan.