Kodra e Diellit: Peng i deklaratave dhe premtimeve, asnjë investim në terren 

Qendra turistike malore “Kodra e Diellit” ka mbetur e harruar nga institucionet duke mos u investuar në të me vite të tëra. Ndonëse institucionet dhe zyrtarët nuk po gjejnë zgjidhje për rivitalizimin e kësaj qendre, ata me vite të tëra kanë bërë shumë premtime dhe deklarata, të cilat nuk janë realizuar në terren, shkruan Portalb.mk. 

Së fundmi këtë temë e riaktualizoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi i cili në kuadër të Forumit Ekonomik të Biznesit në Sarajevë, zhvilloi takim me Abdulaziz Alsakran, zëvendësguvernator për Marrëdhënie Ndërkombëtare në GAFT – Arabia Saudite.

“Diskutuam për projektin strategjik për zhvillimin e Qendrës së Skijimit “Kodra e Diellit” në Tetovë”, tha Durmishi. 

I pyetur nëse është i njoftuar dhe nëse ka diçka konkrete në këtë drejtim, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se ministri më herët ishte në Katar ku pati kontakte me biznismenë të atjeshëm ku është shprehur interesim. 

“Kryeministri ka qenë në Emiratet e Bashkuara. Është një projekt gjithashtu, një investitor i interesuar, i cili koordinohet përmes Qeverisë në bashkëpunim me komunën, pra jemi në vazhdimësi në komunikim me investitorë të ndryshim, tani do shohim kush do të jep ofertë më të mirë apo do të ketë ide më të realizueshme”, tha Kasami. 

Ai tha se për momentin oferta më konkrete është nga TechniAlpin dhe investimi është më i vogël. 

“Për momentin nuk ka arsyetueshmëri të interesit publik, sepse në bazë të studimit të fizibilitetit për Kodrën e Diellit, për tu realizuar komplet projekti duhet diku 500 milionë euro investim, për momentin në fazën e parë TechnoAlpin ofron 50 milionë euro investim, por në të njëjtën kohë duhet shteti të bëjë infrastrukturë publike diku rreth 50 milionë euro. Prandaj jemi duke analizuar të gjitha mundësitë e investimet dhe cilat investime dhe investitorë do të jenë më serioze në drejtim të asaj që ka të bëjë raporti në investimeve publike dhe private”, tha Kasami.

Investimi shumë i premtuar italian për Kodrën e Diellit vazhdon të zvarritet dhe mos të ketë epilog apo marrëveshje. 

Autoritetet vazhdimisht nxjerrin diçka të re, ndërsa në terren nuk shihet asgjë.

Që ky projekt është zvarritur gjithë këtë kohë e konfirmojnë edhe nga kompania italiane ‘TechnoAlpin’ me të cilët Portalb.mk tani e dy vjet është në komunikim të vazhdueshëm.

“Për momentin, për fat të keq ende nuk kemi informacione të mëtejshme për të ndarë mbi këtë temë”, thanë nga TechnoAlpin. 

‘TechnoAlpin’ më 19 dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. 

Në lidhje me këtë projekt autoritetet kanë premtuar shumë, megjithatë negociatat ende nuk kanë marrë epilog dhe deri më tani nuk është arritur të nënshkruhet marrëveshja. 

Kodra e Diellit edhe pse është ndër vendet më të mira dimërore në Ballkan dhe jo vetëm, për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të.

Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.