Mickoski mohoi se votimi elektronik për diasporën lidhet me ambiciet e tij: Nuk do të kandidoj për president

Kryeministri i Hristijan Mickoski  deklaroi se nuk do të kandidojë për president të shtetit, duke hedhur poshtë spekulimet se propozimi i tij për përfshirjen e diasporës në votimin elektronik lidhet me ambiciet e tij politike. Ai sqaroi se ideja për mundësimin e votimit elektronik për diasporën, duke nisur nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2029, nuk ka të bëjë me ndonjë synim për të kandiduar për postin e presidentit, transmeton Portalb.mk.

Duke folur për kërkesat e opozitës për ndryshime në Kodin Zgjedhor, kryeministri Hristijan Mickoski tha se ata do të pranonin të gjitha kërkesat, përveç heqjes së votimit elektronik nga diaspora.

“Shoh se ka spekulime publike se propozimi im për përfshirjen e diasporës në votimin elektronik, duke filluar me zgjedhjet presidenciale në vitin 2029, lidhet me ambicien time për të kandiduar për president. Për t’i dhënë fund këtyre spekulimeve, dua ta bëj të qartë se nuk do të jem kandidat. Pas përfundimit të mandatit tim si kryeministër, do të kthehem në universitet, midis studentëve. Nuk do të kandidoj për kryeministër, as për kryetar shteti, sepse nuk kam ambicie apo dëshirë për një pozicion të tillë”, theksoi Mickoski.

Kujtojmë se Qeveria, përmes ndryshime në Kodin Zgjedhor, dëshiron t’u mundësojë qytetarëve të Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit të votojnë elektronikisht, si një mënyrë për ta ushtruar më lehtë të drejtën e tyre të votë.

Opozita paralajmëroi se votimi elektronik nuk duhet të futet pa garanci të sakta ligjore dhe pa një konsensus të gjerë politik. Qeveria, nga ana tjetër, pretendon se bëhet fjalë për përmbushjen e një kërkese të hershme të emigrantëve.