Partneriteti Maqedoni–Suedi, në fokus energjia e qëndrueshme dhe infrastruktura moderne

 

Bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Suedisë në sektorin e energjetikës pritet të zgjerohet edhe më tej, me fokus në efikasitetin energjetik, modernizimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e teknologjive të gjelbra, transmeton Portalb.mk.

Kjo u theksua në takimin e punës që ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi me ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Ola Sulstrom. Gjatë takimit u konfirmua bashkëpunimi i mirë dypalësh dhe u shpreh gatishmëria për thellimin e tij në fusha me rëndësi strategjike, si energjetika, projektet infrastrukturore dhe tranzicioni i gjelbër.

“Në fokus të bisedimeve ishin mundësitë për avancimin e bashkëpunimit në fushën e efikasitetit energjetik, modernizimin e infrastrukturës energjetike dhe zhvillimin e zgjidhjeve inteligjente energjetike, fusha në të cilat Suedia përfaqëson një nga liderët evropianë”, njoftojnë nga Ministria.

Ministrja Bozhinovska theksoi se Qeveria është fuqishëm e përkushtuar ndaj modernizimit të sistemit energjetik të Maqedonisë, rritjes së pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe ndërtimit të një sektori energjetik të qëndrueshëm dhe konkurrues.

“Qëllimi ynë është një sistem energjetik bashkëkohor, efikas dhe i qëndrueshëm, i cili do të sigurojë stabilitet për qytetarët dhe do të krijojë një klimë të favorshme për investime të reja. Njohuritë, përvoja dhe zhvillimi teknologjik suedez përfaqësojnë një potencial të rëndësishëm për projekte dhe partneritete të përbashkëta që do të kontribuojnë në transformimin më të shpejtë energjetik të Maqedonisë”, theksoi ministrja Bozhinovska.

Ambasadori Ola Sulstrom theksoi gatishmërinë e Suedisë për të vazhduar mbështetjen e Maqedonisë në proceset reformuese dhe nënvizoi se një numër i madh kompanish suedeze po i ndjekin me vëmendje zhvillimet në sektorin energjetik të Maqedonisë dhe shohin potencial për investime të reja dhe bashkëpunim ekonomik.

Ai vlerësoi se ekzistojnë mundësi reale për zgjerimin e pranisë së kompanive suedeze në tregun e Maqedonisë, veçanërisht në projekte që lidhen me efikasitetin energjetik, infrastrukturën moderne dhe teknologjitë inovative të gjelbra.

Njëkohësisht, ambasadori Sulstrom përsëriti se Suedia mbetet një mik i fortë dhe mbështetës i sinqertë i Maqedonisë.

Në fund të takimit u konfirmua përcaktimi i përbashkët për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh dhe zhvillimin e partneriteteve konkrete në fushën e energjisë së qëndrueshme, zhvillimit të infrastrukturës dhe zbatimit të reformave energjetike, të cilat do të kontribuojnë në rritjen ekonomike, sigurinë më të madhe energjetike dhe përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër.

Kujtojmë se ambasadori i Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Ola Sohlstrom, në një intervistë për Portalb.mk ka rikonfirmuar pozicionin e vendit të tij si një kampion evropian i zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke theksuar mbështetjen e plotë për rrugëtimin eurointegrues të vendit. Ai deklaroi se Suedia dëshiron ta shohë Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur si anëtare me të drejta të plota në familjen evropiane. Në këtë kontekst, ai mirëpriti dokumentin e përbashkët (non-paper) të Francës dhe Gjermanisë si një kontribut shumë të dobishëm dhe konstruktiv në debat, duke shpjeguar se ky hap tregon interesin e vërtetë të institucioneve dhe shteteve më të mëdha anëtare të BE-së për të ecur përpara me këtë proces sa më shumë që të jetë e mundur.