Zyrtare: Këto janë ministrat e rinj dhe kabineti i plotë qeveritar i RMV-së pas rikonstruimit
Pas VMRO-së, edhe koalicioni VLEN mbrëmë shpalosi emrat e rinj që do ta përfaqësojnë në përbërjen qeveritare, duke theksuar se bëhet fjalë për “figura që sjellin energji të re, përgjegjësi dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve”. Sipas vendimit, për ministër të Drejtësisë është propozuar profesori universitar Jeton Shasivari, për ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive është propozuar Agon Ferati, ndërsa Sedat Sulejmani është propozuar për ministër të Kulturës dhe Turizmit, transmeton Portalb.mk.
Në të njëjtën kohë, VLEN njoftoi se në përbërjen e re qeveritare do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre Bekim Sali si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Besar Durmishi si ministër i Ekonomisë dhe Punës, si dhe Muhamet Hoxha si ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Kujtojmë se paraprakisht kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi, pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv (KE) të VMRO-DPMNE-së, se në cilat dikastere do të marrë si parti. Ai tha se partia e tij, po merr ministritë e shëndetësisë dhe politikës sociale, demografisë dhe rinisë përmes rikonstruksionit. Partia propozon drejtorin aktual të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH), Sasho Klekovski, si ministër të Shëndetësisë, ndërsa zëvendësministri aktual në këtë dikaster, Gjoko Velkovski, propozohet për politikë sociale, demografi dhe rini. Ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale nga VMRO-DPMNE, Zllatko Perinski, do të emërohet për të zëvendësuar Klekovskin në FSSH, ndërsa zëvendëskryeministri aktual dhe ministri i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, propozohet si Ministër i ri i Vetëqeverisjes Lokale.
Pra, Sedat Sulejmani, i cili paraprakisht ishte zëvendësministër në të njëjtin dikaster, do të zëvendësojë Zoran Ljutkovin. Kuadri i ZNAM në Drejtësi, Igor Filkov, do t’ia lërë postin ministror Jeton Shasivarit, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL).
Partneri i koalicionit VLEN, pas rikonstruksionit të Qeverisë, do të ketë një pozicion zëvendëskryeministri.
Pozicioni i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, të cilin e mbante Arben Fetai nga VLEN, nuk do të ekzistojë në qeverinë e rikonstruktuar. Ky funksion do të mbulohet nga kryeministri.
Lëvizja ZNAM, pas humbjes ndaj Drejtësisë, do të drejtojë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ku pritet që kreu i ri të jetë Borçe Serafimovski, i cili aktualisht është sekretar shtetëror në të njëjtën ministri.
Goran Minçev nga ZNAM do të vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Administratës Publike.