KFOR: Nuk dihet se ku kanë qenë policët në kohën e arrestimit

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se nuk është e qartë se ku kanë qenë tre policët e Kosovës, në kohën e arrestimit nga forcat serbe, raporton REL.

“Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”, thuhet në komunikatën e KFOR-it, dërguar mediave.

Autoritetet e Kosovës pretendojnë se policët janë arrestuar brenda territorit të vendit, ndërsa ato në Serbi thonë se ata kanë qenë “thellë” në territorin e tyre, kur janë arrestuar.

KFOR-i u bëri thirrje të dyja palëve që t’i respektojnë marrëveshjet dhe procedurat e bashkëpunimit me KFOR-in.

“Ua rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës – përfshirë policinë kufitare – dhe KFOR-it”, thuhet po ashtu në komunikatën e misionit paqeruajtës.