KFOR-i dhe Policia diskutuan për masat që do të zbatohen për shtensionim në veri

Komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, është takuar me drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, me të cilin kanë diskutuar masat që do të zbatohen për shtensionimin e situatës në veri, ku përfshihet zvogëlimi i pranisë policore në pjesën veriore të Kosovës, raporton Koha.net.

Pjesë e takimit, sipas njoftimit të KFOR-it, ishte edhe shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano e përfaqësues të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

KFOR-i e ka përshkruar takimin si pozitiv dhe konstruktiv që do të pasohet me takime të tjera.

“Ata diskutuan gjerësisht për masat e shtensionimit që do të zbatohen në afat të shkurtër nga institucionet në Kosovë. Takimi ishte pozitiv dhe konstruktiv dhe do të pasohet nga takime të mëtejshme periodike si në nivel teknik dhe ekzekutiv”, thuhet në shkrimin e KFOR-it në Twitter.

Zvogëlimi i pranisë policore në veri është obligim që ka dalë nga një marrëveshje mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri në fillim të korrikut.

Përveç zvogëlimit të pranisë policore, në marrëveshje është edhe organizimi i zgjedhjeve në katër komunat veriore, për të cilat Qeveria e Kosovës ka thënë se ka nisur punën.