Gjashtë vite pas miratimit të Ligjit: Mekanizmat rinorë në RMV ende jofunksionalë në një pjesë të madhe të komunave

Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë sot publikoi Raportin e Monitorimit për zbatimin e Ligjit për Pjesëmarrje Rinore dhe Politika Rinore për vitin 2025, i cili tregon mangësi serioze dhe trende shqetësuese në zbatimin e obligimeve ligjore ndaj të rinjve. Edhe pse Ligji u miratua me qëllim që të rinjtë më në fund të kenë pjesëmarrje të strukturuar në proceset e vendimmarrjes dhe qasje në shërbime rinore lokale, gjashtë vite më vonë një pjesë e madhe e obligimeve ligjore mbeten të papërmbushura ose zbatohen vetëm formalisht, transmeton Portalb.mk.

Raporti tregon se:

  • Kuvendi Nacional i të Rinjve ende nuk është formuar;
  • Trupi Nacional Këshillëdhënës për Politika Rinore nuk është formuar;
  • Këshille rinore lokal janë formuar në 24 komuna;
  • Janë miratuar 17 strategji lokale për të rinjtë;
  • Qendra rinore janë themeluar në 13 komuna;
  • Vetëm 11 komuna kanë ndarë minimumin ligjor prej 0,1% të buxhetit komunal për të rinjtë;
  • Nga aktivitetet e parashikuara në Planin e Veprimit për Strategjinë Nacionale për të Rinjtë, vetëm 23% janë realizuar plotësisht;
  • Qendra Hulumtuese në kuadër të Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj është themeluar, por për më shumë se një vit nuk ka publikuar asnjë hulumtim.

Për më tepër, raporti thekson se institucionet më së shpeshti i përmbushin vetëm ato obligime ligjorenuk kanë implikime të konsiderueshme financiare, ndërsa mekanizmat që kërkojnë investime reale, mbështetje strukturore dhe pjesëmarrje aktive të të rinjve mbeten jofunksionalë ose pjesërisht të zbatuar.

“Pjesëmarrja rinore nuk guxon të mbetet një obligim deklarativ që ekziston vetëm në letër. Ligji parasheh mekanizma dhe përgjegjësi të qarta, por pa vullnet politik, mbështetje financiare dhe institucione funksionale, të rinjtë mbeten të përjashtuar nga proceset që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre”, theksojnë nga Këshilli Rinor Nacional i Maqedoisë.

Sipas raportit, KRNM thekson nevojën për masa urgjente ligjore dhe institucionale, ndër të cilat:

  • miratimi i ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Pjesëmarrje Rinore dhe Politika Rinore;
  • vendosja e mekanizmit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit;
  • miratimi i akteve të nevojshme nënligjore;
  • profesionalizimi i zyrtarëve për të rinjtë;
  • vendosja e pikave transparente buxhetore për të rinjtë;
  • Ministria për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj pa vonesë të marrë kompetencat e përcaktuara me Ligj;
  • si dhe vendosja e partneriteteve strategjike ndërmjet institucioneve dhe organizatave rinore.

Raporti i monitorimit është përgatitur në bazë të të dhënave të marra përmes kërkesave për qasje në informata me karakter publik të dërguara në të gjitha komunat, ndërsa analizon gjendjet deri më 31 dhjetor 2025. Nga gjithsej 81 komuna, 6 komuna nuk kanë dorëzuar përgjigje ndaj kërkesave.