Çerdhja e re në Tetovë do të quhet “Rilindja”, por hapja do të vonojë

Çerdhja e ndërtuar në oborrin e shkollës “Kirili dhe Metodij” në Tetovë do të quhet “Rilindja”, por ende nuk është nisur procedura e punësimit të kuadrit përkatës sepse ndërmarrja që ka ndërtuar objektin nuk i ka përfunduar të gjitha obligimet, shkruan Portalb.mk.

“Emri është zgjedhur nga votimet online në faqen e komunës dhe emri më i votuar ishte emri Rilindja”, dëftuan nga Komuna e Tetovës, por shtuan se hapja e çerdhes do të vonojë, meqë ende nuk mund të bëjnë punësim të kuadrit.

“Edhe pse Komuna e Tetovës e mori në pronësi objektin, ne së bashku me objektin i morëm përsipër edhe 4 pikat që realizuesi nuk i kishte kryer”, thonë për Portalb.mk nga Sektori për Veprimtari Publike, duke shtuar se 3 nga këto 4 pika tashmë janë realizuar.

“Bëhet fjalë për vendosjen e ventilimit në kuzhinë, rrethimin e tarracës për mbrojtjen e fëmijëve, t’u mundësohet qasje fëmijëve me nevoja të veçanta dhe dritaret të bëhen të errëta”, tha Validin Ademi nga Sektori për Veprimtari Publike.

“Na kanë mbetur vetëm dritaret, por pastaj duhet çerdhen ta vizitojë komision i posaçëm nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, të bëjë kontroll të objektit, të lëshojnë raport se gjithçka është si duhet, e tek pastaj ne mund t’i drejtohemi me shkresë Ministrisë së Punës dhe Politike Sociale se të gjitha punët janë të kryera dhe dëshirojmë të na jepet leja për punë dhe për punësimet kadrovike”, shtoi ai.

Sipas Ademit, gjithë kjo mund të zgjasë deri në mars të vitit 2024.

Çerdhja premtohej prej vitit 2019, kurse u ndërtua në prill të këtij viti. Hapja e saj vonon që atëherë shkaku i pengesavë dhe neglizhencës nga palët përfshirëse.