Ministria e Financave në konflikt me “Euroconsult” për çerdhen e Tetovës, 300 fëmijë presin për regjistrim

Mbi 300 fëmijë presin të regjistrohen në çerdhe, derisa çerdhja e ndërtuar në oborr të shkollës fillore “Kirili dhe Metodij” para shtatë muajsh ende nuk është lëshuar në përdorim, pasi që Ministria e Financave nuk pranon t’ia paguajë tre fatura realizuesit të ndërtimit të çerdhes së re në Tetovë. Nga Njësia për Arsim e Komunës deklarojnë se një punonjëse në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) u ka thënë se për shkak të kësaj çështjeje, hapja e çerdhes mund të vonojë një vit, këto mes tjerash u thanë dje në Seancën e 21 të Këshillit Komunal të Tetovës, shkruan Portalb.mk.

Çerdhja e ndërtuar në oborr të shkollës fillore “Kirili dhe Metodij” është një nga objektet e çerdhes “Rinia” dhe ndonëse leja për ndërtim i është dhënë që nga viti 2019, u përfundua në prill të këtij viti, pas arsyetimeve të vazhdueshme nga palët përfshirëse. Më 1 shtator 2023 çerdhja në fjalë u regjistrua në Kadastër, me çka duhej të ishin tejkaluar të gjitha pengesat administrative për t’u bërë hapja zyrtare e objektit, por Ministria e Financave deklaroi se nuk e bën dot pranim-dorëzimin e objektit pa u bërë pagesat e fundit nga mbikëqyrësi i ndërtimit, që është ndërmarrja Euroconsult.

Në Seancën e Këshillit, udhëheqësi i Sektorit për Veprimtari Publike, Nazmi Dauti, kërkoi të rritet numri i fëmijëve që mund të pranohen në qëndrime ditore pasi që ka mbi 300 fëmijë që presin të regjistrohen. Vendimi u miratua me 18 vota pro dhe 10 të përmbajtura.

“Duke pas parasysh faktin që presin mbi 300 fëmijë të cilët duhet të regjistrohen në kuadër të çerdhes “Rinia” në qytetin tonë dhe për arsye të mos marrjes të objektit të ri të çerdhes që është rregulluar te shkolla “Kirili dhe Metodij”, pamë të arsyeshme që momentalisht, në bazë të nenit 65, paragrafi 5, të mund të bëhet rritja e fëmijëve nëpër grupe që të paktën sadopak të arrijmë të zbusim kërkesat e prindërve për regjistrim të tyre në çerdhe”, tha Dauti.

Sa i përket çerdhes, Dauti tha se ajo nuk vihet në funksion sepse ka tre fatura që Ministria e Financave nuk ia pranon realizuesit të punës.

“Sa për informacion, obligimet që na i dha MPPS si komunë, që s’ishin tonat, ne i bëmë. Problematika momentale nuk qëndron as te Komuna e Tetovës, as te MPPS, problematika qëndron tek Ministria e Financave. Ky projekt është i financuar nga IPA fondet dhe IPA fondet kërkojnë arsyetime denar për denari. Tani konflikti momental është ndërmjet Ministrisë së Financave dhe realizuesit të punëve, ku Ministria e Financave nuk i pranon tre fatura që t’ia paguajë realizuesit të punës dhe realizuesi i punës jo më parë se dy apo tre ditë vetë deklaroi që më është thënë nga Ministria e Financave që unë nuk mund të jap një deklarim në lidhje me këtë problematikë”, tha ai.

I pyetur se deri kur do të zgjasë kjo punë, Dauti deklaroi se nga MPPS i kanë thënë se mund të shkojë një vit.

“Konkretisht, nga një e punësuar në Ministria e Punës dhe Politikës Sociale na është thënë se kjo problematikë mund të zgjasë edhe një vit, për shkak se Ministria e Financave nuk pranon t’ia paguajë ato tre fatura realizuesit të punëve”, tha Dauti.

Për sa u përket 9 edukatorëve që kanë dalë në pension dhe nuk janë zëvendësuar ende, nga kryetari i Këshillit, Besar Durmishi tha se kanë bërë kërkesë për këtë te Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, por nuk u është miratuar.

“Disa muaj më parë sollëm një vendim, ku ne gjetëm një zgjidhje që të mbulohen financiarisht nga ana e komunës për 30 persona që të mundet të ju shërbejnë fëmijëve nëpër çerdhet e qytetit, por edhe për atë vendim MPPS nuk ka sjellë pëlqim, gjithashtu edhe për 9 vende pune, të cilët kanë dalë në pension, nuk sjellë pëlqim t’i hap ato vende pune, kështu që politikat ditore ndonjëherë sjellin fatkeqësi që i vuajnë fëmijët tanë”, tha Durmishi.

Debatin për këtë pikë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme nga 03:01:00.

Rikujtojmë se Portalb.mk kërkoi nga ndërmarrja Euroconsult të japë deklaratë për çështjen e pagesave, por përfaqësuesi i saj kërkoi njëherë të flasë me Ministrinë e Financave, kurse më vonë refuzoi të flasë për këtë çështje.