Këshilli Gjyqësor kundër ambasadorit Kopp: Funksionojmë ligjërisht, projekti holandez është në vitin e tretë të projektit

Këshilli Gjyqësor funksionon ligjërisht dhe në përputhje me kompetencat e dhëna në Ligjin për Këshillin Gjyqësor, përfundoi Këshilli në kolegjiumin e sotëm punues, i cili hodhi poshtë si të pabazuara pretendimet e ambasadorit holandez Dirk Jan Kopp se kryetar i ri i Këshillit Gjyqësor është zgjedhur në një procedurë jolegjitime dhe për këtë arsye pauzohet projekti katërvjeçar i financuar nga ky vend, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

“Personi i parë i Këshillit Gjyqësor është zgjedhur në  seancë me numrin e duhur të votave të përcaktuara në Ligjin për Këshillin Gjyqësor të RMV-së. Këshilli u bëri thirrje autoriteteve që të hetojnë të gjitha dyshimet për korrupsion, si dhe rikujtojnë se Gjykata Supreme në mënyrë plotësuese dhe në procedurë ligjore kontrollon të gjitha vendimet e marra për të kontrolluar përgjegjësinë e gjyqtarëve. Projekti holandez zgjat katër vjet dhe përbëhet nga tre komponentë: efikasiteti, llogaridhënia, transparenca dhe bashkëpunimi rajonal dhe aktualisht është në vitin e tretë të projektit”, thuhet në njoftimin e anëtarëve të Këshillit.

Ambasadori holandez në vend, Dirk Jan Kopp, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, vlerësoi se Qeveria nuk po bën progres në luftën kundër korrupsionit, por se gjërat po përkeqësohen.

Lidhur me besimin e qytetarëve në drejtësi, Kopp vlerësoi se pas turbullirave në Këshillin Gjyqësor për shkarkimin e kryetares Vesna Dameva, ky organ nuk është më legjitim. Për shkak të atij precedenti, tha Kopp, Holanda vuri në pushim një projekt të madh në lidhje me Këshillin Gjyqësor.

Kujtojmë se më 26 prill të këtij viti u shkarkua Vesna Dameva nga funksioni kryetare e Këshillit Gjyqësor.  Zëvendësi i saj, Selim Ademi, i cili pas zënkave që kanë zgjatur disa orë dhe pasi Dameva refuzoi ta vendos në votim pikën e cila nuk ishte në rend dite, ai e hodhi propozimin në votim. Shtatë anëtarë e mbështetën zëvendësin, i cili e mori udhëheqjen e seancës në prani të saj.

Edhe pse në ligj nuk është paraparë mënyrë për shkakrim të kryetarit të Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi për Portalb.mk elaboroi se bëhej fjalë për votim me shumicë dhe se gjithçka që nuk është e ndaluar me ligj, është e lejuar.

Më 4 maj të këtij viti për kryetar të ri të Këshillit Gjyqësor u zgjodh Sashko Georgiev.

Më 19 maj të këtij viti, Dameva informoi se ka dorëzuar padi deri te Gjykata Administrative dhe padi penale te Prokuroria Themelore Publike për shkarkimin e saj.