Kovaçevski në “Përgjigjje e Shpejtë 23”: RMV-ja është faktor stabiliteti, vend stabil dhe i sigurt i NATO-S (Video)

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në stërvitjen më të madhe shumëkombëshe të këtij viti në Republikën e Maqedonisë së Veriut “Përgjigje e Shpejtë 23”, në të cilën, përveç Republikës së Maqedonisë së Veriut, marrin pjesë edhe tre vende anëtare të NATO-s, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Mali i Zi dhe si vend partner i NATO-s – Kosova, me rreth 1.850 pjesëmarrës, transmeton Portalb.mk.

Stërvitja, siç njoftojnë nga Qeveria është e një rëndësie të veçantë për Armatën e vendit për sa i përket ndarjes së njohurive, aftësive, shkathtësive, përmirësimit të ndërveprimit dhe sinkronicitetit të ndërsjellë operacional midis NATO-s dhe armatave partnere, në një gamë të gjerë operacionesh duke demonstruar unitetin të Aleancës së NATO-s për sigurinë e secilit vend anëtar, si dhe konfirmimin e aftësive të “PU Krivollak” për kryerjen e një sërë operacionesh stërvitore dhe përdorimin e mjeteve dhe armatimeve të ndryshme luftarake.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se duke ruajtur parimet e fqinjësisë së mirë dhe duke zbatuar politikën e dialogut në vend të konfliktit, Republika e Maqedonisë së Veriut sot është shndërruar në një vend që është faktor stabiliteti, partner i besueshëm i BE-së dhe NATO-s, duke kontribuar në përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e paqes në rajon, dhe rrjedhimisht paqen në botë.

“Me nënshkrimin e Marrëveshjes me FRONTEKS-in dhe anëtarësimin në familjen e madhe të NATO-s, ne mbrojtëm standardet tona të identitetit, mbrojtëm gjuhën tonë maqedonase dhe kulturën tonë. Nën mburojën e NATO-s dhe mbështetjen e fortë të aleatëve dhe partnerëve tanë strategjikë, vendi ynë është më i fortë dhe më i qëndrueshëm se kurrë. Si politikisht ashtu edhe ekonomikisht, sepse fillimi i bisedimeve me BE-në dhe stabiliteti me anëtarësimin në NATO sollën një mjedis të favorshëm dhe të parashikueshëm për investimet e huaja të drejtpërdrejta, të cilat në kushte krize arritën një shumë historike rekord prej 753 milionë euro, që është niveli më i lartë i investimeve të tilla në vend dhe dy herë më shumë në krahasim me vitin 2016”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili ka shënuar rritje gjatë dhjetë viteve të fundit, arriti nivelin më të lartë këtë vit dhe përbën 1.85 për qind të PBB-së.

“Kështu duhet dhe e mbrohet atdheu. Duke investuar në Armatën tonë, ne po investojmë në sigurinë dhe të ardhmen tonë dhe duke ndërtuar partneritete strategjike, të gjitha këto nuk mund t’i bëjë askush, veçanërisht jo një vend me përmasat dhe popullsinë tonë. Prandaj partneriteti me SHBA-në dhe vendet anëtare të NATO-s janë të një rëndësie vendimtare për vendin tonë. Armata jonë sot ka pajisjet më bashkëkohore ushtarake që janë këtu falë partneriteteve tona me SHBA-të, Francën, Turqinë dhe vende të tjera anëtare të NATO-s”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se para vendit në periudhën e ardhshme qëndrojnë sfida që do të përcaktojnë të ardhmen e tij – nëse do të shkojmë në rrugën e integrimit evropian, stabilitetit dhe prosperitetit apo do të ngecim vetë me veten.

Pjesëtarët e armatave pjesëmarrëse në stërvitje prezantuan aksion të kombinuar tokësor: “Një grup shumëkombësh në sulm, e mbështetur me mbështetje artilerie, ajrore dhe antiblindore“.

Në aktivitetet e planifikuara stërvitore është paraparë përdorimi i të ashtuquajturit mjeti i sofistikuar robotik “Project Origin”, i cili është në përdorim provë nga Armata e SHBA-ve dhe që do të testojë për herë të parë në kushte stërvitore shkrepjen e një rakete me sistem kundër armaturës të tipit “Javelin”, e cila është pjesë e armatimit të saj.

Stërvitja “Përgjigje e Shpejtë 23” është e lidhur me kompleksin e stërvitjeve “Defender Europe 23”, të cilat kryhen rregullisht çdo vit në tokën evropiane, të udhëhequra nga Armata e SHBA-ve për Evropë dhe Afrikë. “Përgjigje e Shpejtë 23” do të realizohet në 8 shtete të rajonit: Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Kroaci, Slloveni dhe Kosovë.

Ndryshe, në poligonin ushtarak “Krivolak” me 22 maj nisi stërvitja “Përgjigje e shpejtë 23”, e cila është pjesë e stërvitjes më të madhe shumëkombëshe në Evropë për këtë vit “Defender Europe 23”, e cila do të zgjasë deri më 2 qershor.