Këngëtarja Anita Aziri në Tetovë solli koncertin për 25 vite karrierë
Mbrëmë në Pallatin e Kulturës në Tetovë, këngëtarja Anita Aziri së bashku me grupin Artemis sollën koncertin solistik 25 vite karrierë, shkruan Portalb.mk.
Anita Aziri, është bërë një emër i njohur dhe i dashur për publikun, ndërsa karriera e saj është një shembull frymëzues i përkushtimit, talentit dhe dashurisë për muzikën dhe traditën.
Ajo për Portalb.mk tha se koncerti përfshiu një repertor të pasur me këngë autoriale, këngë shqipe të përpunuara dhe shumë risi të tjera.
“Në koncertin tim solistik, arrita të sjellë një mbrëmje të veçantë për të gjithë adhuruesit e muzikës sime. Interpretova këngët e mia të para që kanë autoresi autodial, por edhe këngë të dashura shqipe, të cilat i mbaj afër zemrës. Pati emocione të forta, bashkëpunime të papritura dhe një atmosferë që na bashkoi përmes muzikës. Për këtë koncert veçova një këngë të re, e cila është rikthyer dhe ripunuar me një frymë të re, ndërsa të tjerat ishin përpunime të këngëve të njohura, por të sjella sipas stilit dhe interpretimit tonë unik”, tha Aziri.

Ajo edhe më tej shtoi se për 25 vite karrierë është ballafaquar sfida të ndryshme, por këto sfida e kanë bërë më të fortë.
“Rruga deri në këtë përvjetor ka qenë plot me sfida, por edhe me bekime të mëdha. Si çdo artist, jam përballur me vështirësi të ndryshme. Por pikërisht ato më kanë formuar dhe më kanë bërë më të fortë. Çdo pengesë ka qenë një mësim, dhe çdo sakrificë ia ka vlejtur kur shoh se këngët e mija prekin zemrat e njerëzve. Arritjet më të mëdha i shoh te dashuria e publikut dhe ne faktin që sot, pas gjithë këtyre viteve, mund të festoj këtë përvjetor me një koncert të plotë”, tha Aziri.
Ajo potencoi se të qëndruarit në skenë kërkon përkushtim dhe sinqeritet.
“Të qëndrosh në skenë kërkon forcë, përkushtim dhe sinqeritet. Nuk është e lehtë, por unë gjithmonë përpiqem të jem vetvetja. Autenticitetin e ruaj duke kënduar nga zemra dhe duke qëndruar besnike ndaj rrënjëve dhe stilit tim”, tha Aziri.