Këngëtari dhe piktori Nikoll Nikprelaj do të vijë në Tetovë me ekspozitën e tij personale “Kontrast”

Nesër, më 5 maj në Galerinë e Arteve në Tetovë, me fillim nga ora 19:00, do të hapet ekspozita personale e piktorit dhe këngëtarit të njohur, Nikoll Nikprelaj, të titulluar “Kontrast”, shkruan Portalb.mk.

Përmes ekspozitës “Kontrast”, Nikoll Nikprelaj do të paraqesë para publikut një koleksion veprash që pasqyrojnë thellësinë emocionale dhe ndërthurjen e ngjyrave, formave dhe përjetimeve, duke shpalosur dy anë të realitetit: dritën dhe hijen, qetësinë dhe trazimin, harmoninë dhe përplasjen. I njohur jo vetëm si këngëtar, por edhe si piktor me një shprehje unike vizuale.

Besa Daotti kuratorja e projektit për Portalb.mk tha se Nikolla përveç zërit të tij të fuqishëm dhe interpretimit me shpirt për muzikë, na befason me ndjeshmërinë dhe përkushtimin që shfaq në pikturë.

“Si kuratore e kësaj ekspozite, kam kënaqësinë e veçantë të prezantoj për publikun një dimension tjetër të artistit Nikollë Nikprelaj, një emër i njohur dhe i dashur për të gjithë si këngëtarë, por sot edhe si piktorë. Nikolla përveç zërit të tij të fuqishëm dhe interpretimit me shpirt për muzikë, na befason me ndjeshmërinë dhe përkushtimin që shfaq në pikturë”, tha Daotti.

Përmes veprave të tij, publiku do të ketë mundësinë të ndjek një dialog të fuqishëm të përjetimit individual si dhe të shprehjes së lirë artistike me histori që kapërcejnë kufijtë dhe kohën.

“Pra, ky event kulturorë është një ftesë për të njohur më nga afër botën e tij artistike-një udhëtim përtej notave muzikore, drejt ngjyrave dhe formave që rrëfejnë një tjetër anë estetike vizuale dhe po aq autentike dhe të sinqertë”, tha Daotti.

Piktura nga ekspozita “Kontrast” e artistit Nikollë Nikprelaj. Nikollë Nikprelaj
Piktura nga ekspozita “Kontrast” e artistit Nikollë Nikprelaj. Nikollë Nikprelaj

Artisti Nikollë Nikprelaj për Portalb.mk tha se në këtë ekspozitë do të paraqitet me 30 piktura ku janë të përfshira tematika të ndryshme.

Ka vite e vite që takohem me publikun e Tetovës por gjithmonë vetëm si këngëtar. Kësaj radhe do të paraqitem në një format tjetër-si piktor. Tematikat e pikturave të kësaj ekspozite janë nga më të ndryshmet: nga tradita, folklori por edhe nga jeta aktuale por kryesisht ato i shprehi në stilin jo real-abstrakt. Në këtë ekspozitë do të paraqes 30 piktura të punuara me akrilik në pëlhurë”, tha Nikprelaj.

Nikprelaj edhe me tej deklaroi se kuratorja Besa Daotti ishte nismëtare e këtij projekti dhe arti duhet të përkrahet më shumë.

“Mendoj se akoma nuk jemi shoqëri e konsoliduar sa duhet. Arti dhe vlerat artistike duhet të vlerësohen por edhe përkrahen akoma më shumë. Kjo duhet të jetë së pari detyrë e institucioneve shtetërore. Nismëtare e ekspozitës në Tetovë është piktorja e njohur dhe mikja ime Besa Daotti! Ajo më propozoi dhe unë e mirëprita se dua të më njoh publiku Tetovar edhe si piktor”, tha Nikprelaj.

Pas Tetovës, ekspozita do të vazhdojë rrugëtim e saj edhe për publikun e Prishtinës.

Afishja e ekspozitës “Kontrast” e artistit Nikollë Nikprelaj. Foto: Besa Daotti
Afishja e ekspozitës “Kontrast” e artistit Nikollë Nikprelaj. Foto: Besa Daotti