Ligji për Mediat, Metamorfozis: Propozimet aktuale të pamjaftueshme për të garantuar lirinë e mediave

Derisa Maqedonia e Veriut po i nënshtrohet reformave në legjislacionin e saj për mediat, duke synuar përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian (BE), Fondacioni Metamorfozis ka dalur me dokument ku i ka vlerësuar ndryshimet e propozuara, duke nënvizuar si përparimet ashtu edhe sfidat e vazhdueshme, dhe ka ofruar rekomandime për të siguruar lirinë gjithëpërfshirëse të mediave dhe përafrimin me direktivat e BE-së, shkruan Portalb.mk.  

Gjetjet kryesore të Metamorfozis për ndryshimet e propozuara në Ligjin për Media janë: “Harmonizimi i pjesshëm me LELM-në (Ligjin Evropian për Lirinë e Medias); Mbrojtje e pamjaftueshme kundër padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (MKPSKPS); Mungesa e transparencës mbi pronësinë e mediave; Ndikimi i vazhdueshëm politik dhe censura e butë; Angazhime të paqarta për reformat e ardhshme; Kërcënimet ndaj mediave lokale dhe atyre të specializuara; si dhe, nevoja për koherencë ligjore.  

“Pavarësisht disa përmirësimeve të prezantuara përmes procesit të ndryshimit të ligjit, duke përfshirë përshtatjet e kritereve për punësim për t’u përfshirë në regjistër, korniza e propozuar ligjore mbetet e harmonizuar në mënyrë të pamjaftueshme me LELM-në. Në veçanti, ajo nuk arrin të trajtojë fusha kritike si pavarësia redaktuese, masat mbrojtëse kundër mbikëqyrjes dhe përqendrimin e pronësisë në sektorin e mediave digjitale. Gjithashtu, arsyetimi zyrtar për ndryshimet e paraqitura nga qeveria përfshinte qëllimin për të luftuar dezinformatat, ndërsa propozimi aktual nuk ofron mekanizma të tillë”, thuhet në dokumentin e Metamorfozis.  

Nga Fondacioni Metamorfozis rekomandojnë: “Të miratohet terminologjia dhe përkufizimet që janë në përputhje me LELM-në, Të adresohet Përqendrimi i Pronësisë së Mediave (neni 22): Të mbrohet të drejtat e gazetarëve dhe pavarësia redaktuese (neni 6.3): Të sigurohet mbrojtje nga mbikëqyrja e paligjshme (neni 4): Të përfshihet monitorimi i zbatimit të LELM-së; Të vendoset një afat kohor i detyrueshëm për reforma me hapa të përcaktuara: Të integrohet llogaridhënia për reformat në raportimin për anëtarësimin në BE; Të zbatohen kritere të diferencuara për regjistrimin e mediave, në varësi të madhësisë dhe shtrirjes së tyre; Të sigurohen përjashtime për mediat që janë në shërbim të komuniteteve të cenueshme; Të monitorohet ndikimi i regjistrit në diversitetin e mediave; Të harmonizohen përkufizimet dhe standardet ligjore në ligje të ndryshme; Të koordinohen afatet kohore të reformës dhe përfshirja e palëve të interesuara; Të kryhet një vlerësim i ndikimit në ligje të ndryshme; Të krijohet një Forum i përhershëm për të drejtat digjitale dhe reformën e mediave; Të prezantohet një kornizë legjislative kundër MKPSKPS-së; Të vendosen procedura për hedhjen poshtë të hershme të padive; Të bëhet e detyrueshme që barra e provës të bie mbi paditësit në rastet e qarta të MKPSKPS-së ; Të zbatohen sanksione për paditësit abuzivë; Të krijohet një regjistër i centralizuar, i qasshëm nga publiku, i pronësisë së mediave; Të bëhet i detyrueshëm zbulimi i pronarëve përfitues; Të sigurohet mbikëqyrje dhe verifikim i pavarur rregullator; Të zgjerohen kërkesat për transparencë për të përfshirë mediat online dhe ato digjitale; Të shpalosen lidhjet politike dhe financiare; Të rregullohet reklamimi shtetëror përmes kritereve transparente dhe jodiskriminuese; Të forcohet pavarësia e organeve rregullatore; Të ndalohet ndërhyrja joformale politike; Të mbështetet gazetaria e pavarur përmes financimit konkurrues publik”. 

Nga aty theksojnë se, edhe përkundër faktit se përpjekjet për reformimin e legjislacionit për mediat në Maqedoninë e Veriut janë për t’u lavdëruar, propozimet aktuale janë të pamjaftueshme për të garantuar lirinë e mediave dhe për t’u harmonizuar plotësisht me standardet e BE-së.

“Reformat gjithëpërfshirëse që i adresojnë shqetësimet e përshkruara janë thelbësore për të nxitur një mjedis mediatik të lirë, të pavarur dhe pluralist, i cili është një gur themel i shoqërisë demokratike dhe një parakusht për integrimin në BE”, përfundon dokumenti i Metamorfozisë.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka rënë për 6 vende, nga vendi i 36-të në të 42-tin, në Indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij (RSF), dhe është pozicionuar e fundit në grupin e vendeve ku situata është “e kënaqshme”. Në këtë grup nga rajoni janë vetëm edhe 2 vende, Sllovenia, e cila është ngjitur me 9 vende në vendin e 33-të, dhe Mali i Zi, i cili është ngjitur me 3 vende në vendin e 37-të, dhe të gjitha të tjerat janë në grupet me një situatë “problematike” ose “të vështirë”. Klasifikimi i RSF-së mbulon 180 vende anembanë botës.

Partitë politike në RMV shfrytëzuan raportin Reporterëve pa Kufij, për të akuzuar njëra tjetrën se cila ka kontribuar më shumë në rënien në Indeksin e Lirisë së Medias. Ndërkaq, Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë së Veriut e cilësoi raportin si tregues i vërtetë i nevojës për reforma në sektorin mediatik.