Trump u kritikua pasi Shtëpia e Bardhë e portretizoi atë si Papë

Donald Trump është kritikuar nga disa besimtarë pasi Shtëpia e Bardhë publikoi një foto të tij të veshur si Papa. Fotografia, e krijuar duke përdorur inteligjencën artificiale, u postua në llogaritë zyrtare të Shtëpisë së Bardhë në mediat sociale, ndërsa Vatikani përgatitet të zgjedhë një pasardhës të Papa Françeskut, i cili vdiq më 21 prill, transmeton Portalb.mk.

Konferenca Katolike e Nju Jorkut e akuzoi Trumpin se po bën shaka me religjionin. Ditë më parë, Trump u kishte thënë me shaka gazetarëve se “do të donte të ishte papë”.

“Nuk ka asgjë të zgjuar apo qesharake në lidhje me foton, z. President. Ne sapo varrosëm Papën tonë të dashur dhe kardinalët po përgatiten të hyjnë në konklavë për të zgjedhur pasardhësin e tij. Mos na tallni”, tha në një deklaratë Konferenca Katolike e Nju Jorkut, e cila përfaqëson priftërinjtë e Nju Jorkut.

Zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, nuk pranoi të komentonte, ndërsa Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë kritikat se Trump po kishte synim shakanë me papatin.

“Presidenti Trump ishte në Itali për t’i bërë nderimet e tij Papa Françeskut dhe për të marrë pjesë në funeralin e tij, dhe ai është një mbështetës i vendosur i katolikëve dhe lirisë fetare”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kerolin Livit.