KE përsëriti kërkesat e njëjta ndaj RMV-së: Entit të Statistikave t’i sigurohet kuadër adekuat dhe burime financiare

Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur në fushën e statistikave – Kapitullin 18. Pavarësisht se thuhet që është bërë një përparim i mirë, sidomos me finalizimin e publikimit të të dhënave të regjistrimit në dhjetor 2022, KE-ja në raportin e fundit thotë se Enti Shtetëror i Statistikave përballet me mungesë të kuadrit adekuat dhe mungesë të burimeve të mjaftueshme financiare, dhe kërkon që këtë çështje ta zgjidhë në mënyrë urgjente. Por mesa duket vendit nuk i “ngutet puna”, pasi kërkesë e njëjtë, urgjente, u bë edhe vitin e kaluar, por institucionet nuk kanë gjetur zgjidhje, raporton Portalb.mk.

fillim të këtij viti ESSH lidhur me këtë çështje thanë se në katër vitet e fundit nuk ka pasur as edhe një punësim, kurse ka pasur dalje të madhe të stafit.

“Në lidhje me konkursin, procedura ka përfunduar më 9 janar dhe janë shpallur vendimet për pranimin e 39 kandidatëve (shpallja është paraqitur për 45 punësime të reja, por 6 nuk janë zbatuar për arsye të ndryshme). Për shkak të shtyrjes së procedurës së përzgjedhjes, zbatimi i plotë u zhvendos për në vitin 2023, kështu që aktualisht jemi në pritje të sërishme të pëlqimit financiar nga Ministria e Financave për t’u dhënë zyrtarisht vendimet punonjësve të rinj dhe të fillojnë punën”, thanë asokohe për Portalb.mk nga Enti i Statistikave.

Në raport thuhet se janë vërejtur përmirësime në shumicën e fushave statistikore dhe në përafrimin e statistikave sektoriale me standardet e BE-së, duke përfshirë përdorimin më të mirë të burimeve administrative. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar shtrirjen dhe cilësinë e të dhënave në bazë të statistikave makroekonomike dhe sociale.

Në vitin e ardhshëm, vendi duhet në veçanti:

  • të kryej regjistrimin në bujqësi deri në qershor 2024;
  • të sigurojë urgjentisht personelit adekuat dhe burimeve të mjaftueshme financiare për Entin Shtetëror të Statistikave;
  • të vazhdojë të përmirësojë statistikat makroekonomike, veçanërisht duke rritur konsistencën, afatet kohore dhe mbulimin e procedurës së deficitit të tepruar dhe statistikave të financave të qeverisë dhe duke përafruar më tej llogaritë financiare dhe llogaritë kombëtare tremujore me Sistemin Evropian të Llogarive 2010 (ESA 2010).

“Burimet njerëzore në ESHS janë rritur vetëm pak. Megjithatë, buxheti vjetor i ESHS-së për operacionet e rregullta u rrit me 9.4% në terma nominalë në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022, duke përmbysur trendin negativ të mëparshëm”, thuhet në raport.

Enti Shtetëror i Statistikës (EShS) - Njësia Rajonale Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Enti Shtetëror i Statistikës (EShS) – Njësia Rajonale Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Është bërë progres në përdorimin e të dhënave administrative për zhvillimin e regjistrit të punësimit.

Raporti kritikon ESHS-në se ka bërë progres shumë të kufizuar në lidhje me tabelat e procedurës së deficitit të tepërt (PDT).

“Përpjekje të rëndësishme të mëtejshme nevojiten për të përmirësuar cilësinë, qëndrueshmërinë, mbulimin dhe afatin kohor të tabelave të PDT-së dhe statistikave të financave të qeverisë të ofruara përmes programit të transmetimit të ESA 2010. Për më tepër, për të respektuar rregullat e ESA 2010 për klasifikimin e sektorit, është e nevojshme të riklasifikohet pa vonesa të mëtejshme brenda sektorit qeveritar një kompani e madhe publike me ndikim thelbësor në deficitin dhe borxhin e qeverisë. Për llogaritë tremujore, tabelat e BPP-së sipas qasjes së të ardhurave u përpiluan dhe u dërguan në ESTAT për publikim në gusht 2023. Megjithatë, nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar plotësinë dhe cilësinë e të dhënave të dorëzuara në llogaritë kombëtare tremujore”, thuhet në raport.

Sa i përket statistikave të biznesit, është bërë përparim i mirë.

Edhe pjesa e statistikave sociale është lavdëruar se ka arritur përparim.

“Përparim i mirë vërehet për statistikat bujqësore. Në qershor 2022, ESHS kreu regjistrimin pilot të bujqësisë. Përgatitjet për regjistrimin kryesor të bujqësisë në vitin 2024 duhet të përshpejtohen, duke përfshirë kornizën legjislative dhe buxhetore. Të dhënat për statistikat e peshkimit u përafruan me standardet e BE-së, të publikuara nga ESHS dhe të dorëzuara në Eurostat në dhjetor 2022. Për statistikat e pyjeve, ESHS vlerësoi burimet e të dhënave për përpilimin e llogarive pyjore”, thuhet më tej në raportin e KE-së.

Për statistikat e energjisë dhe mjedisit, nënvizohet se në maj 2023 janë përpiluar llogaritë monetare mjedisore për kategoritë kryesore tatimore si dhe për shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit. Shtrirja e llogarive të sektorit të mallrave dhe shërbimeve mjedisore u zgjerua. Për më tepër, llogaritë e fluksit të energjisë fizike (PEFA) u përpiluan për çdo vit referencë midis 2018 dhe 2020 duke përdorur “ndërtuesin PEFA”. Të dhënat e llogarive të flukseve materiale gjithashtu raportoheshin rregullisht në Eurostat, megjithëse bilancet e flukseve materiale nuk janë përfshirë ende. Përfshirja e të dhënave të bilanceve të energjisë u rrit falë përfshirjes së energjisë termike diellore. Mbledhja e të dhënave për statistikat e energjisë u përmirësua falë ridizajnimit dhe reduktimit të numrit të anketave statistikore për mbledhjen e të dhënave.

Komisioni Evropian më 8 nëntor e publikoi Raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata me luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.