Shtëpia e Bardhë thirrje për përshpejtimin e ndihmave për Ukrainën përpara ardhjes së dimrit

Kongresi duhet të veprojë me shpejtësi për të ofruar ndihma për Ukrainën përpara fundit të këtij muaji, pas të cilit do të bëhet shumë e vështirë dhënia e ndihmës që i nevojitet Kievit, tha gjatë një konference shtypi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, shkruan Zëri i Amerikës.

“Na duhet kjo ndihmë menjëherë, në mënyrë që të mund ta dërgojmë pa ndërprerje”, tha Kirby.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se Rusia do të përpiqet të shkatërrojë infrastrukturën jetike për energjinë të Ukrainës këtë dimër, siç veproi vitin e kaluar.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se u takua me komandantët ushtarakë të premten për të diskutuar mënyrat për të prodhuar “rezultate konkrete” vitin e ardhshëm në luftën e Ukrainës kundër Rusisë.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes, ai foli për përmirësime në metodat e mobilizimit.

“Kjo nuk është thjesht një çështje numrash, se kush mund të mobilizohet,” tha ai. “Është çështje afatesh kohore për çdo person që është tani në ushtri, për çmobilizimin dhe për ata që do t’i bashkohen ushtrisë. Dhe ka të bëjë me kushtet”.

Ai tha se këto çështje duhej të shqyrtoheshin nga komandantët dhe ministria e mbrojtjes.

“Sot ka patur disa propozime dhe jam në pritje të zgjidhjeve gjithëpërfshirëse”, tha ai.