RMV-ja qëndron mirë në kapitullin “Shkenca dhe kërkimi”, por jo si vitin e kaluar kur u zbatuan të gjitha rekomandimet

Maqedonia e Veriut ka nivel të mirë përgatitjeje në Kapitullin 25, Shkenca dhe kërkimi. Është bërë njëfarë përparimi në forcimin e kapaciteteve kërkimore dhe inovative të sektorit publik dhe privat duke rritur buxhetin për shkencën, duke zhvilluar strategjinë e zgjuar të specializimit ende për t’u miratuar dhe nëpërmjet përmirësimit të vazhdueshëm të vendit në pjesëmarrjen në Horizon Europe. Por, vitin e kaluar, vendi qëndronte edhe më mirë në këtë kapitull, duke u konsideruar si ndër të rrallët me rekomandime të reja. Megjithatë, as këtë vit nuk ndodhet keq, por disa nga rekomandimet e vitit të kaluar, mbeten të vlefshme edhe këtë vit, që do të thotë se nuk janë plotësuar të gjitha, raporton Portalb.mk.

Disa nga rekomandimet e vitit të kaluar të cilat mbeten të vlefshme janë:

  • vendi të rrisë investimet në kërkime në përputhje me prioritetet e reja të Zonës Evropiane të Kërkimit;
  • të zhvillojnë masa të dedikuara që synojnë të promovojnë dhe rrisin pjesëmarrjen në Horizon Europe dhe instrumente të tjera financiare përkatëse të BE-së në këtë fushë;
  • të miratojë strategjinë e specializimit të mençur dhe të fillojë të zhvillojë masa për zbatimin e saj.

Komisoni Evropian vlerëson se çshtë bërë njëfarë progresi për t’u përafruar me standardet evropiane për kërkimin dhe inovacionin. Buxheti për shkencën në vitin 2022 dhe 2023 është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2021 (në rreth 3.5 milionë euro nga 1.3 milionë euro). Megjithatë, investimet në kërkim dhe inovacion vazhdojnë të mbeten të ulëta, në 0.38% të PBB-së, ndërsa pjesëmarrja e sektorit privat në kërkimin e përgjithshëm është edhe më e ulët, në 0.1% të PBB-së.

“Pjesëmarrja e vendit në Horizon Europe, programi kuadër i BE-së për kërkimin dhe inovacionin, ka vazhduar të rritet, duke arritur në vitin 2022 (sipas disponueshmërisë së të dhënave në datën e publikimit), 10 projekte me financim 4 milionë euro, duke tejkaluar të gjithë performancën e vitit 2021. Autoritetet duhet të forcojnë pjesëmarrjen e tyre në Zonën e re Evropiane të Kërkimit dhe në Agjendën e re Evropiane të Inovacionit. Nuk vërehet përparim në Kartën Evropiane për kërkuesit, Kodin e Sjelljes për rekrutimin e studiuesve dhe numrin e logove të Ekselencës së Burimeve Njerëzore në Kërkime të lëshuara gjatë periudhës së raportimit. Udhërrëfyesi kombëtar i transferimit të teknologjisë ende nuk është zhvilluar”, thuhet në raport.

Sa i përket inovacionit, Tabela Evropiane e Inovacionit e klasifikon për të dytin vit radhazi Maqedoninë e Veriut si një ‘novator në zhvillim’ duke shënuar megjithatë një rritje të performancës së saj të rezultateve nga 45,6% në 2022 në 46,3% të mesatares së BE-së në 2023.

Në vitin 2022, Fondi për Inovacion dhe Zhvillimi Teknologjik zotuan afro 16.5 milionë euro për të mbështetur 98 inovacione dhe kërkime në 209 kompani private. Përpjekjet e Fondit për të intensifikuar sinergjitë midis bizneseve dhe akademisë duhet të vazhdojnë të rriten duke i dhënë përparësi lehtësimit të tranzicionit të gjelbër dhe atij digjital.

Bakterie, laborator. Foto nga Edward Jenner/Pexels
Bakterie, laborator. Foto nga Edward Jenner/Pexels

“Fondi duhet të jetë në përputhje me gjetjet e raportit të auditimit të përputhshmërisë të Entit Shtetëror të Auditimit, të lëshuar në dhjetor 2022. Autoritetet duhet të mbështesin më tej bashkëpunimin akademi-biznes. Instituti Evropian i Inovacionit dhe Teknologjisë (EIT) njoftoi se në nismën e arsimit të lartë EIT 2023, dy institucione të arsimit të lartë nga Maqedonia e Veriut u zgjodhën për financim si partnerë të plotë të konsorciumeve të mëdha”, thekson raporti.

Strategjia e specializimit inteligjent, dokumenti kryesor i politikave për inovacionin dhe kërkimin me prioritete të qarta sektoriale, nuk është miratuar ende, duke siguruar një kornizë të mbrojtur për përdorim efikas të fondeve të kërkimit dhe inovacionit.

Kujtojmë se vitin e kaluar Komisioni Evropian vlerësoi se Maqedonia e Veriut ka nivel të mirë përgatitjeje në fushën e shkencës dhe kërkimit, përkatësisht Kapitullin 25.  U nënvizua se është bërë njëfarë progresi në kapacitetet e kërkimit dhe inovacionit si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat pasi fondet e reja për inovacione u janë shpëndarë kompanive private. Ky ishte një nga kapitujt e rrallë vitin e kaluar, që vendi i kishte plotësisht rekomandimet e vitit 2021 dhe gjatë vitit 2022 u dhanë rekomandime të reja.

Për dallim nga raporti i vitit 2021, kur u përsëritë rekomandimet e vitit 2020, gjatë 2022-shit nuk ka ndodhur kështu. Vendi mori rekomandime të reja, që do të thotë se i zbatoi të gjitha sugjerimet e BE-së.

Komisioni Evropian më 8 nëntor e publikoi Raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata me luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.