BE jep 100 milionë euro për RMV-në, ndihma kushtëzohet me sundimin e ligjit, demokracisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut

BE-ja do të ofrojë 100 milionë euro ndihmë makro-financiare për Maqedoninë e Veriut. Ndihma do të kontribuojë në mbështetjen e agjendës së stabilizimit ekonomik të Maqedonisë së Veriut dhe reformave thelbësore. E gjithë shuma e ndihmës do të jepet në formë kredie. Ndihma, siç njoftojnë nga Këshilli i BE-së do të kontribuojë në forcimin e qëndrueshmërisë së Maqedonisë së Veriut në një kontekst sfidues ekonomik, njofton Portalb.mk.

Ekonomia e Maqedonisë së Veriut është prekur ndjeshëm nga recesioni i shkaktuar nga pandemia COVID-19, si dhe nga kriza energjetike e nxitur nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe varësia e lartë e Maqedonisë së Veriut nga importet e derivateve dhe energjisë elektrike. Këto rrethana kanë kontribuuar në rritjen e hendekut financiar të vendit”, deklarojnë nga Këshilli Evropian.

Ndihmën makro-financiare e shoqëron një program mbështetjeje 24-mujore të dakorduar me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), deri në 530 milionë euro. Ai do të kontribuojë në mbulimin e nevojave financiare të Maqedonisë së Veriut në 2023 dhe 2024, siç janë identifikuar në programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Ndihma makrofinanciare do të vihet në dispozicion në dy këste të barabarta.

“Parakusht për dhënien e ndihmës makro-financiare është që Maqedonia e Veriut të respektojë mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë sistemin parlamentar shumë-partiak dhe sundimin e ligjit, dhe të garantojë respektimin e të drejtave të njeriut. Komisioni do të pajtohet me autoritetet e Maqedonisë së Veriut për politikat ekonomike dhe kushtet financiare të përcaktuara qartë, duke u fokusuar në reformat strukturore dhe financat e shëndosha publike, të cilave do t’i nënshtrohet ndihma makro-financiare”, deklarojnë nga Këshilli Evropian.

Portalb.mk, pyeti Sekretariatin për Çështje Evropiane për informacione më të detajuara se si do të përdoren këto para, nga ku deklaruan se bëhet fjalë për Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), në të cilën vendi aplikon për çdo thirrje, “ndërsa në thirrjen e fundit kemi në dispozicion 24 milionë euro për tre projekte. Më 30 qershor 2023 në Oslo, Norvegji, Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor miratoi 14 projekte për vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Nga 14 projekte të miratuara, 3 janë aplikacione të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe konkretisht:

  • Projekti për efikasitet energjetik në sektorin publik. Granti është në vlerë prej 2.2 milionë euro dhe investimi total prej 27.5 milionë euro është mbështetur nga një kredi nga Banka Botërore.
  • Forcimi i rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në rajonin juglindor. Granti është në vlerën 8 milionë euro dhe investimi total prej 34.7 milionë euro është mbështetur nga një kredi nga BERZH.
  • Korridori 8 ndërtimi i shpateve në autostradën e shpejtë Kriva Pallankë Stracin. Granti është në vlerë prej 14 milionë euro dhe investimi total prej 36.7 milionë euro është mbështetur nga një kredi nga Banka Botërore.
Rindërtimi aktual i hekurudhës Nogaevci-Negotinë në hekurudhën e Korridorit 10; Foto: Meta.mk
Rindërtimi aktual i hekurudhës Nogaevci-Negotinë në hekurudhën e Korridorit 10; Foto: Meta.mk

Në paketat e projekteve të miratuara përfshihen edhe projekte me rëndësi rajonale, nga të cilat do të përfitojnë sipërmarrjet dhe sektori publik nga vendi ynë, si:

  • Transport i sigurt në vlerën 80 milionë euro. Investimi total është rreth 494.8 milionë euro kredi nga Banka Botërore. Përmes këtij projekti do të financohet projekti për ngritjen e Sistemit Inteligjent të Transportit të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, i cili llogaritet në rreth 12 milionë euro dhe një investim total prej 27.7 milionë euro.
  • GGF (Fondi i Zhvillimit të Gjelbër) Promovimi i kredive të gjelbra në Ballkanin Perëndimor, ku u nda një grant në vlerë prej 24 milionë euro dhe investimi total është 231 milionë euro. Fondet do të kanalizohen përmes institucioneve financiare ndërkombëtare dhe bankave tregtare vendase.
  • Qasje e qëndrueshme në financim për sipërmarrjen – SAFE, ku është dhënë një grant për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme prej 10.4 milionë euro dhe investimi total është 40.4 milionë euro.
  • Digjitalizimi në Ballkanin Perëndimor, ku është dhënë një grant në vlerë prej 27.6 milionë euro dhe investim deri në 177.7 milionë euro. Kjo është mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për digjitalizimin, automatizimin dhe rritjen e konkurrencës.
Bashkimi Evropian, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Bashkimi Evropian, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Totali i projekteve të miratuara për vendet e Ballkanit Perëndimor kap vlerën e 528 milionë eurove me një investim total prej 2.1 milionë euro. Të gjitha projektet e miratuara synojnë zbatimin e Planit Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor të promovuar nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varheyi që në vitin 2020.

“Gjatë verës, Komisioni Evropian do të nisë rreth 20 fonde garancie për sektorin privat për të inkurajuar zhvillimin e sipërmarrjeve në Ballkanin Perëndimor, për të përmirësuar operacionet e tyre dhe për të mbështetur investimet private. Deri më tani, Komisioni Evropian ka ndihmuar në qasjen në financa dhe në periudhën e ardhshme do të marrë edhe rrezikun e investimeve për të lehtësuar dhe përmirësuar sektorin privat. Informacione shtesë për këto garanci do të publikohen në shtator të këtij viti”, shtojnë nga SÇE.

Vendimi do të hyjë në fuqi ditën e tretë pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Kujtojmë se BE-ja dhe Maqedonia e Veriut kanë zhvilluar një marrëdhënie të ngushtë politike dhe ekonomike gjatë viteve. Marrëdhëniet vazhdojnë të zhvillohen në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Duke pasur parasysh përkeqësimin e situatës ekonomike, Maqedonia e Veriut fillimisht kërkoi ndihmë makro-financiare nga BE-ja për të plotësuar programin e FMN-së, në prill të vitit 2022.

Megjithatë, Komisioni e vuri atë kërkesë në pritje, sepse ekonomia e vendit ishte ende mjaft elastike në atë kohë dhe kishte disa opsione të tjera financimi në dispozicion për të përmbushur nevojat e financimit të jashtëm për vitin 2022. Qeveria e Maqedonisë së Veriut rinovoi kërkesën e saj për ndihmë makrofinanciare në tetor 2022.

Duke qenë se Maqedonia e Veriut është një vend kandidat dhe ka filluar negociatat për anëtarësim, ajo konsiderohet e pranueshme për të marrë ndihmë makro-financiare nga BE-ja.

Buxheti afatgjatë i BE-së 2021-2027 lejon përdorimin e asistencës makro-financiare për një shumë të përgjithshme deri në 11.6 miliardë euro kredi dhe deri në 350 milionë euro grante.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut më 9 mars mori 80 milionë euro mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, në konferencë për shtyp theksoi se këto mjete përdoren për mbështetje buxhetore në vend. Euroambasadori në vend, Dejvid Gir, tregoi se kjo mbështetje financiare do t’i ndihmojë qytetarët që të përballen me kërkesat që u shfaqën si pasojë e krizës energjetike.

BE-ja, e cila përveç ndihmës së vazhdueshme financiare për projektet që janë pjesë e agjendës së reformës, Maqedonisë së Veriut i ka dhënë edhe mjete grant për përballim me krizën. Në vitin 2020 gjithashtu edhe Republikës së Maqedonisë së Veriut i është ndarë grant prej 40 milionë eurosh përkrahje buxhetore e drejtpërdrejtë për qëndrueshmërinë sociale dhe ekonomike të shtetit në përballjen me krizën e shkaktuar nga pandemia KOVID-19.