Parlamenti Evropian dha dritë jeshile që RMV-së t’i ndahen 100 milionë euro përmes instrumentit për ndihmë makrofinanciare

Eurodeputetët votuan për dhënien e 100 milionë eurove për Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes instrumentit për ndihmë makrofinanciare. Anëtarët e Komisionit për Tregti Ndërkombëtare sot kanë përkrahur propozimin e Komisionit Evropian, me të cilin së shpejti do të vihen në dispozicion mjetet nga ky instrument, njofton Qeveria, transmeton Portalb.mk.

Pastaj pason nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, pas së cilës mjetet nga ky instrument do të jenë në dispozicion në dy transhe, shtuan nga ekzekutivi.

Ndihma makrofinanciare kushtëzohet nga mirëqeverisja dhe menaxhimi i financave publike, gjegjësisht vetë instrumenti lidhet me zbatimin e politikave që kanë të bëjnë me menaxhimin e financave publike, sistemin tatimor, partneritetin publiko-privat, përmirësimin e mjedisit të biznesit,transparencën fiskale, transparencën në shpërndarjen e fondeve të ndihmës shtetërore, efikasitetin energjetik, reformat në drejtësi, si dhe luftën kundër korrupsionit. Është marrë parasysh Instrumenti për kujdes dhe likuiditet, të cilin Ministria e Financave e ka dhënë vitin e kaluar përmes FMN-së dhe që Fondi e ka vetëm me vende me baza të shëndosha ekonomike.

Qeveria, siç thuhet në njoftim, mirëpret miratimin e ndihmës makrofinanciare për vendin tonë, e cila është një tjetër nga shembujt e shumtë të partneritetit që kemi me BE-në dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj nesh.

“Angazhimi i Qeverisë sonë për zbatimin e reformave, pavarësisht disa krizave të njëpasnjëshme ekonomike globale në vitet e fundit, është dëshmia më e mirë e përkushtimit në rrugën evropiane dhe dëshirës që e ardhmja jonë të jetë në kuadrin e familjes së madhe europiane”, theksojnë nga Qeveria.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut më 9 mars mori 80 milionë euro mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, në konferencë për shtyp theksoi se këto mjete përdoren për mbështetje buxhetore në vend. Euroambasadori në vend, Dejvid Gir, tregoi se kjo mbështetje financiare do t’i ndihmojë qytetarët që të përballen me kërkesat që u shfaqën si pasojë e krizës energjetike.

BE-ja, e cila përveç ndihmës së vazhdueshme financiare për projektet që janë pjesë e agjendës së reformës, Maqedonisë së Veriut i ka dhënë edhe mjete grant për përballim me krizën. Në vitin 2020 gjithashtu edhe Republikës së Maqedonisë së Veriut i është ndarë grant prej 40 milionë eurosh përkrahje buxhetore e drejtpërdrejtë për qëndrueshmërinë sociale dhe ekonomike të shtetit në përballjen me krizën e shkaktuar nga pandemia KOVID-19.