Presidencat e reja të BE-së, gjithnjë e më pak ambicie për Ballkanin Perëndimor

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Ky korrik nuk është vetëm promovim i presidencës spanjolle, por edhe i trеshes së re Spanjë, Belgjikë dhe Hungari. Ajo që shkaktoi më shumë vëmendje nuk është programi i treshes, por shqetësimi gjithnjë e më i madh se a mundet Hungaria, një shtet i cili vazhdimisht e shkel sundimin e të drejtës, të udhëheqë me Bashkimin Evropian. Parlamenti Evropian në një rezolutë të miratuar në muajin maj e vendosi në dyshim aftësinë e Hungarisë që të udhëheqë me Bashkimin Evropian, dhe i thirri Komisionin Evropian dhe Këshillin që të prononcohen. Dhe përderisa po diskutohen alternativat për një “kapërcim” eventual të Hungarisë si udhëheqëse, procedura vijon, e kështu është shpallur edhe programi i kësaj “Treshe”-je.

Spanja e merr presidencën e BE-së në përgatitje e sipër për zgjedhje të çrregullta parlamentare që duhet të mbahen kah fundi i korrikut, të shpallura pas suksesit të papritur të të djathtës në zgjedhjet e fundit lokale. Opozita aktuale konservative u ankua se nuk ka qenë e konsultuar mbi përgatitjen e programit të Presidencës. Ekspertët parashikojnë se ndryshimi i qeverisë në Madrid mund të ketë pasoja politike mbi presidencën, posaçërisht për faktin që kjo është presidenca e fundit “e plotë” para zgjedhjeve në nivel të BE-së. Brukseli nga ana tjetër, e sheh presidencën e Spanjës si një mundësi të fundit që të mbyllen disa dosje të caktuara legjistlative para zgjedhjeve dhe të plotësohet sa më shumë nga premtimet e bëra.

Kryeministri i Spanjës Sançez i theksoi këto prioritete: promovimin e ri-industrializimin e Evropës, lëvizjen drejt tranzicionit ekologjik, konsolidimin e shtyllës sociale dhe forcimin e unitetit evropian. Megjithatë, me rëndësi është se cilës do t’i japë prioritet Spanja deri në zgjedhjet evropiane. Ekspertët vlerësojnë se prioritet do të ketë digjitalizimi – veçanërisht rregullativa për Inteligjencën Artificiale, dosjet për sigurinë kibernetike dhe çështje etike lidhur me të drejtat e njeriut në digjitalizimin e BE-së. Prioritet tjetër i rëndësishëm është përfundimi i disa ligjeve të mbetura nga paketa legjislative ,,Të gatshëm për 55” (“Fit for 55”). Dosja për tranzicion të gjelbër ka prioritet për qeverinë aktuale socialiste, por shumë njerëz e parashtrojnë pyetjen se a do të mbesë ajo ashtu në rast të ndonjë ndryshimi eventual të Qeverisë. Gjithashtu, prioritet në politikën e jashtme të presidencës spanjolle është zhvillimi i marrëdhënieve me Amerikën Latine dhe Karaibet.

Sigurisht që për ne më me interes është se si presidencat në vijim do të trajtojnë zgjerimin e Ballkanit Perëndimor. Në programin e Treshes shënohet se treshja “do të kontribuojë për të menduar mbi atë se si të integrohen anëtarë të rinj me qëllim që të forcohen politikat kyçe evropiane”. Ose – paradigma tashmë e njohur: reforma, pastaj zgjerim, e për këtë mbetet të mendohet në të ardhmen. Ukraina e merr primatin në kapitullin “për promovim të interesave dhe vlerave evropiane në botë” – me theks te mbështetja në luftë, por edhe te mbështetja financiare për rindërtimin e saj. Formulimi i përgjithshëm i zgjerimit, “në pajtim me metodologjinë e re”, është i pasuruar me kapacitetin absorbues të BE-së për pranim të anëtarëve të rinj. Nuk shënohen shtetet kandidate dhe potencialisht kandidate individualisht. Ballkani Perëndimor përmendet vetëm si një pjesë e “fqinjësisë direkte të BE-së”, pa fokus të veçantë te zgjerimi.

Nga ana tjetër, Presidenca Spanjolle, në programin e saj, thotë se do të punojë për nxitje të procesit të aderimit të kandidatëve dhe do ta vazhdojë dialogun politik. Për këtë presidencë sfidë do të jenë konkluzionet e reja për zgjerim që për herë të parë do t’i përfshijnë Ukrainën dhe Moldavinë, pas raporteve të para të Komisionit mbi ato, që priten në tetor, së bashku me raportet mbi vendet e Ballkanit Perëndimor. Spanja premton konkluzione që do të ofrojnë “afate reale dhe të besueshme për shtetet kandidate”. Është interesant fakti që do të insistojë që të hapen negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë, ndërsa për ato ekzistuese (nuk përmenden me emra) – të ecet para me konferencat ndërqeveritare.

Ballkani Perëndimor trajtohet veçanërisht në pjesën e marrëdhënieve të jashtme – edhe atë në pjesën e poshtme të listës së rajoneve. Përveç përcaktimeve të përgjithshme për mbështetjen e “qëndrueshmërisë, stabilitetit dhe sigurisë” të shteteve të rajonit, shprehimisht mbështetet projekti për integrim gradual të shteteve të BP në BE. Mungesa e ambicieve për aderim ra në sy në formulimin e butë “do të kujdeset për procesin e aderimit”, përderisa si ngjarje kryesore përmenden Forumi i BP për shoqëri civile, si dhe Takimi ministror BE-BP. Për dallim nga këto evenimente, mbase më shumë do të mund të pritet nga takimi joformal i ministrave për zgjerim në shtator. Nga çeshtjet konkrete në rajon, përmendet shprehimisht vetëm se do të mbështetet dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës.

Selia e Bashkimit Evropian në Bruksel, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Analiza e dokumenteve dhe deklaratave tregon qartë se po bien ambiciet në BE në raport me aderimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe gjithnjë e më shumë promovohet qasja e “integrimit gradual”. Primatin në zgjerim e merr Ukraina, por me pikëpyetje të mëdha në aspekt të perspektivës kohore, duke pasur parasysh pasojat për kapacitetin absorbues të Ukrainës.